Rivleresimi i interpretimit gjuhësor të Istiva-se në Isteula

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të Botëve.

Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin (s.a.v.s.),
dhe më pas:

Është bërë e zakontë, vulgare dhe e ndere kur flitet për Istiva-në të dëgjosh apo të lexosh se interpretimi i Istiva-së me Isteula në gjuhën arabe nuk shkon, kur lexon edhe libra profesionistesh me gjuhë diletantesh të thonë se Esh’arinjtë dhe Maturidinjtë kanë hequr shkronjën “Vav” ( و ) dhe e kanë zëvendësuar me shkronjën “Lam” (ل ). Por me këtë lajthitjen e fundit nuk do të merremi sepse nuk ia vlen as profesionalisht e as dilentantisht; qeshin çakajtë ndër male dhe peshqit në dete gajasen. Ajo me të cilën do të merremi është pretendimi se Istiva-ja nuk mund të interpretohet ne Istijla (sundim, zaptim, nënshtrim). Shk. Muhamed Uthejmin thotë në Shpjegimin e Akides el-Vasitijeh (të Ibn Tejmijes) [ Sherh El-Akijdeh El-Uasitijeh, në fq. 381]: “Nuk është paraqitur në gjuhën arabe që Istiva të ketë kuptimin Isteula”.

Një tjetër, Abdul Hadi Wehbi në librin që e ka titulluar “Tesmijeh la tedul’lu ala ma bi dakhili’hi” (fq. 255) thotë: “Nuk është përcjellë kjo (Istivaja si Iteula) prej asnjë imami të gjuhës, prej atyre të cilët merren në konsideratë”.

Për të mos u marrë me “thash-e-them” dhe për të mos e hequr veten si njohës i gjuhës arabe, do të kisha nderin që t’u referohesha linguistëve më të njohur në boten arabe dhe islame në fjalorët, kamuset dhe librat e tyre.

1- Ebul Kasim el-Husejn ibn Muhammed, i njohur si Er-Ragib el-Asbahani (vd. 502 H) në librin e tij “El-Mufredat fi Garijbil Kur’an”, fq. 251:

“Nëse përdorimi – i Istiva-së – bëhet me ‘mbi’ atëherë përfshin kuptimin e Istijla-së, si në fjalën e Allahut: “Mëshiruesi mbi Arshin Isteva”. (përfundon citati).

2- Linguisti Ebu Abdirrahman Abdullah ibn Jahja ibn El-Mubarek el-Jezijdij (vd. 237h., pra selef) në librin e tij “Garijbul Kur’an” fq. 113, thotë:

“Mbi  Arshin Isteva, Isteula”

Ky linguist ka qenë një prej shokëve të linguistit të famshëm Ebu Zekerija Jahja ibn Zijad el-Farra. Linguisti Ahmed ibn Jahja ka thënë: “Nuk kam parë ndër shokët e Farrait më të ditur se sa el-Jezijdij”

3- Imami Muxhtehid Ebu Xha’fer Muhamed ibn Xherijr et-Taberij (vd. 310) në Tefsirin e tij “Xhami’ul Bejan”, vëll. 1, kap. 1, fq. 192, thotë:

“Istiva-ja në gjuhën e arabëve interpretohet në disa llojesh… prej tyre el-Ihtijaz (përvetësim) dhe el-Istijla, si fjala e tyre: “Filani ‘Isteva’ mbi mbretërinë” me kuptimin e sundoi dhe e përvetësoi”.

4- Linguisti el-Fejumi, Ahmed ibn Muhamed ibn Alij (vd. 779) në librin e tij “El-Misbah El-Munijr”, fq.113, thotë:

“Istiva mbi fronin e mbretërisë, është eufemizëm ose shprehje e sundimit edhe pse nuk është ulur mbi të (fron)”

5- Linguisti Ebu Is’hak ez-Zuxhaxh (vd. 311) në librin e tij “Me’ani el-Kur’an”, (kap. III, fq. 109), thotë: “Fjala e arabëve: u ngrit filani mbi filanin, pra e dominoi dhe e predominoi. Siç vjen në strofat e vjershës:

“Dhe kur u ngritëm e sunduam mbi ta” (Istiva)

Pra i mundëm dhe i sunduam”. [Përfundon citimi]

Dhehebiu për Ebul Kasimin (Zuxhaxhin) ka thënë në Sijar A’lam en-Nubela (kap. XV fq. 475): “Shejhu i arabishtes”.

6- Linguisti Muhamed ibn Ebi Bekr er-Razij (jetonte më 666h.) në “Mukhtar es-Sihah”, fq. 136, thotë: “Isteva, pra Isteula (sundoi) dhe e shfaqi (apo e shpalli)”.

7- Linguisti Ebu Mendhur (vd. 711) në Lisan el-Arab, vëll. XIV, fq. 414; Fejruz Abadi në “Besair dhuej et-Temijz”, vëll .II, fq. 106 dhe 107; Në librin tjetër te tij “El-Kamus” fq. 1673 e ka komentuar Istiva-në me Kahr (mposhtje), dhe Kudreh (potencë) në ‘Besair”; Ndërsa në ‘el-Kamus’ e ka komentuar me Istijla (sundim).

8- Poeti El-Akhtal* ka thënë:

‘Isteva Bishri mbi Irak

pa shpatë dhe pa derdhur gjak.’

Pra sundoi Bishri mbi Irakun, pa patur nevojë të bëjë luftë dhe pa patur nevojë të derdhte gjakun e dikujt.

* shpjegim: El-Akhtal është El-Akhtal Et-Tegalubi dhe thirrej Ebu Malik, ka lindur me 19 hixhri. Ai është poet arab, pjesëtar i fisit Beni Tegalub dhe ishte i krishterë. Fakti që ishte i krishtere, këto dy vargje nuk pranohen nga vehabistët, por kjo nuk ka ndonjë domethënie sepse në gjuhen arabe nuk kushtëzohet identiteti fetar, aq me tepër po të mendojmë se në gjuhen arabe huazohen poezi paraislame (të epokës se xhahilijetit) siç është Umrul Kajs poeti arab më i famshem. El-Akhtal është një ndër tre poetët më të padiskutueshëm të epokës së tyre, pra të epokës Emevite ose Umajade, El-Akhtal, Xheriri dhe El-Ferazdak janë “Muttefik Alejhi” në poezinë arabe.

Nga ana tjeter, El-Akhtal nuk i ka thënë këto dy vargje apostafat për problemin e hasur në ajetet e Istiva-së dhe as që i ka shkuar në mend se pas 2-3 shekujsh kjo do të bëhej çështje diskutimi.

Alban Çuli, Tetor 2012