Etja për të mësuar

Zotëriu ynë, Abdullah ibn Abbasi r.a. tregon:

“Pasi që ndërroi jetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., unë i thashë një shokut tim që ishte ensar (pra ishte medinas – shën. i përkth.): I Dërguari s.a.v.s. tani më nuk është në mesin tonë, mirëpo një numër i madh sahabësh të tij ende janë me ne. Eja të shkojmë tek ta dhe të përfitojmë dije mbi çështjet e praktikat islame! Ai ma ktheu: Kush do të të qaset ty për të mësuar rregulla e norma në prani të këtyre sahabëve eminentë?

Unë nuk u dekurajova, por vazhdova me objektivin tim dhe iu qasa secilit person që dihej se kishte dëgjuar diçka nga Pejgamberi s.a.v.s. Arrita të tuboja informacione të konsiderueshme nga ensarët. Nëse e vizitoja ndonjërin nga sahabët dhe e gjeja atë duke fjetur, e shtrija turbanin tim pranë portës së tij dhe ulësha e prisja. Ngandonjëherë fytyra dhe trupi më mbuloheshin nga pluhuri, mirëpo unë qëndroja duke pritur derisa ai zgjohej dhe kontaktoja me të.

Disa nga ta më thonin: O Abdullah, ti je kushëriri i Pejgamberit s.a.v.s., ti mund të na kishe ftuar ne. Përse u shqetësove dhe erdhe ti tek ne? Unë iu thoja: Unë duhet të vij tek ju, ngaqë unë jam nxënës e ju jeni mësuesit e mi. Disa nga ta, të cilët unë i prisja (të zgjoheshin nga gjumi – shën. i përkth.) më thonin: Që kur je duke na pritur? Unë iu tregoja se isha duke i pritur që një kohë të gjatë. Ata thonin: Sa turp! Ti mund të na kishe zgjuar ne nga gjumi. Unë iu thoja: Nuk desha që t’ju shqetësoja për shkak timin.

Në këtë mënyrë unë vazhdova kërkimet e mia, derisa erdhi koha kur njerzit filluan të vërshonin drejt meje për të marrë dije. Shoku im nga medina më në fund e kuptoi dhe tha: Ky djalosh pa dyshim e provoi vetën të jetë më i mençur se ne.”

Pra, të dashur lexues, përveç detyrës sonë për të marrë dije që të fitojmë një jetë të mirë në këtë botë, ne duhet të marrim edhe dije të mjaftueshme mbi Islamin. Pavarësisht se cilës grupmoshë i takojmë, ne duhet të posedojmë së paku aq dije islame me të cilën ne mund ta kthejmë jetën tonë 24 orëshe në adhurim. Ata me dije dhe praktikë do të lartësohen në këtë jetë dhe tjetrën, in sha Allah.

Përktheu: Daim Abazi