Muslimanët, mrekullitë, dhe mesazhi Kuranor rreth tyre

Shkruan: Ajlin Isaj

Në krijimin e qiejve dhe të tokës, edhe në ndërrimin e natës e të ditës ka me të vërtetë argumente për ata që kanë mend (3:190)

Revolucioni teknologjik e shkencor, rritja e njohurisë mbi boten dhe përbërjen e saj, shpjegimi materialist i gjithçkaje që na rrethon nga njëra anë, e dëshira për ta ruajtur „magjinë“ e shpjegimit fetar,  dëshira për ta parë besimin, shpesh të pareflektuar mirë, e të trashëguar ashtu, nga prindërit e ambienti social, të vërtetuar po aq materialisht sa shkenca që kritikojmë nga ana tjetër, na kanë vendosur ne si musliman në një pozitë të vështirë.

Të painformuar mirë rreth mesazhit hyjnor të Kuranit famëlartë,  shpesh duke e konsideruar fenë me tepër si formë sesa si esencë, i kërkojmë rrahjet e zemrës, mrekullimin dhe magjepsjen, që do të duhej ta përjetonim në çdo varg të Kuranit, tek disa të ashtuquajtura “mrekulli”. Falë shpejtësisë marramendëse së ndarjes se informacionit të mediave sociale, frekuenca e këtyre “mrekullive” arrin të bëhet madje e bezdisshme. Për çfarë e kam fjalën? Me siguri ju ka rastisur dhe ju te shihni diku ndonjë foto “te mrekullueshme” se si mbi domate , apo përmes reve, apo përmes degëve te pemës shkruhet emri “Allah”. Muslimanit i kërkohet automatikisht të mbetet i mahnitur prej fuqisë krijuese të el-Malikut dhe supozohet që në këtë mënyrë t’i forcohet atij besimi. Një hap i mëtejshëm i kësaj logjike, është forma e ashtuquajtur shkencore që përpiqet me metoda të paqarta e të pakuptueshme mirë, të na tregoje p.sh se si me anë të përpunimit të frekuencave te caktuara, arrijmë te dëgjojmë prej mushkonjës fjalen “SubhanAllah“. Në mendimin tim modest, kjo përpjekje për forcimin e besimit te muslimanëve në këtë forme, është në rastin më të mire e panevojshme.

A na e thërret Kurani vëmendjen ndaj mrekullive të Krijuesit? Po, shumë here. Në cilën formë? Ndaj cilave mrekulli? Dy pasazhe te shkurtra por tepër te fuqishme, do të duhet ta ilustronin në mënyrë të mjaftueshme këtë :

“All-llahu është ai i cili ka ngritur qiejt pa asnjë shtyllë, i shihni, pastaj, mbisundoi me gjithësinë. Edhe Diellin edhe Hënën ua ka nënshtruar; secili lëviz deri në afat të caktuar, Ai rregullon tëra çështjet dhe në hollësi shpalon argumentet, ndoshta bindeni se keni për të dalë para Zotit tuaj!  Dhe Ai ka bërë tokën të rrafshët dhe në të ka bërë male edhe lumenj, dhe nga secili fryt ka krijuar dy çifte (të gjinisë së kundërt). Natën e mbulon me ditën. Në këtë, pa dyshim, ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (13:2-3) 

Dhe,

“Ai bën që me ndihmën e tij t’u rritet drithi, edhe ullinjtë, edhe panjat, rrushi dhe të gjitha frutet; kjo është me të vërtetë argument për njerëzit të cilët mendojnë.  Juve ua ka nënshtruar natën edhe ditën, Edhe Diellin edhe Hënën, kurse yjt i janë nënshtruar vullnetit të Tij; në këto, vërtetë, ka argumente për njerëzit që kanë mend.  Dhe në tokë u krijon gjithfarë llojesh të ndryshme; ajo është njëmend argument për njerëzit që kujtohen.  Dhe Ai është i cili u vë në shërbim edhe detin, prej të cilit hani mish të freskët dhe të nxirrni stoli, të cilat i bani. Dhe i sheh anijet si e trupojnë që të fitoni diçka nga begatitë e tij, ndoshta do të jeni mirënjohës.” (16:11-14)

Teksa i drejtohet të “zotëve të mendjes“ Kurani iu bën thirrje atyre të reflektojnë thellësisht rreth krijimit, rreth ekzistencës së universit, rreth funksionimit të tij në mënyrë perfekte sipas një plani te caktuar. Pikërisht në mrekullueshmërinë e normales që na rrethon, e asaj që e konsiderojmë të zakonshme duhet të mësojmë të shohim Fuqinë Krijuese të er-Rahmanit. Nuk na kërkohet në asnjë moment, të shkojmë të kërkojmë diçka të “jashtëzakonshme, sepse, lëvizja perfekte e çdo atomi, kohezioni i pakrahasueshëm në funksionimin e trupit të njeriut, qielli, toka, bimët, kafshët, absolutisht çdo gjë që na rrethon është mjaftueshmërisht e jashtëzakonshme, është një mrekulli në vete.  Jo mbi foton e mbishkrimit Allah në një domate, duhet të mahnitemi, po mbi vete ekzistencën e saj, mbi formën, shijen, funksionalitetin e saj… Jo pse me shume fantazi arrijmë te lexojmë emrin Allah mbi re duhet të na rrah zemra fort, po për faktin që reja ekziston, që ajo e bart shiun, i cili i sjell jetë tokës pasi ajo është tharë…

Sigurisht që përmes përsiatjes mund të ngjiten shkallët e besimit, mund të bëhemi akoma më të devotshëm teksa mendojmë për perfeksionin dhe plotfuqishmërinë e Krijuesit tonë. Por tendenca jonë për të parë mrekulli aty ku s’ka e për t’i harruar mrekullitë e vërteta,  është një shenjë e dhimbshme e zbrazjes sonë shpirtërore. Ne e kemi harruar gjuhën e gjallë të Kuranit, e kemi harruar mesazhin e tij te fuqishëm, tek ndërsa na kërkon të reflektojmë, të mendohemi e te përsiatemi rreth botes dhe krijimit të saj, na fton ta vlerësojmë thellësisht si një vepër mjeshtërore arti çdo gjë rreth nesh. Ne kemi harruar t’i vlerësojmë gjërat e vogla, kemi nisur të bëhemi po aq materialistë sa ata te cilët duam t’i bindim për saktësinë e fesë sonë, e për pasojë e konsiderojmë aq të vetëqenësishme ekzistencën rreth nesh, saqë ajo as na habit, as na mrekullon, as na lumturon. Zemrat tona janë ngurtësuar aq shume, saqë rrahjet e tyre nuk rriten përmes një dukurie aq madhështore sa perëndimi i diellit, por jepemi në një udhë pa krye për të kërkuar diku mbishkrime të cilat secili prej nesh i dallon vetëm me vështirësi…

Ne si muslimanë nuk kemi nevojë për shpjegime aq materialiste, nuk kemi nevojë ta shohim Bukurinë e Krijimit mbas copëzash pseudomrekullishë, sepse për ne çdo gjë është mrekulli…

“Shpallja e Librit është nga All-llahu, i forti e i urti, Në qiej dhe në tokë, me të vërtetë, ka argumente për besimtarët;  Edhe ne të krijuarit tuaj dhe çka ka shpërndarë nga shtazët ka argumente për njerëzit që janë të bindur, Edhe në ndërrimin e ditës dhe të natës dhe çka lëshon All-llahu nga qielli prej furnizimeve që me anë të tij e ngjallë tokën, pasi të ketë vdekur, si edhe ndërrimi i erërave janë argumente për njerëzit e mençur.” (45:2-5)