Imam Ebu Hanifja, r.h., dhe Hadithi

Shejh Abd’ul-Hafiz El-Mekki

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun, Zotin e botërave, ndërsa salavatet dhe përshëndetjet qofshin mbi të Dërguarin e Tij fisnik, Muhammedin s.a.v.s., mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij pa përjashtim!

I gjithë ummeti islam është i bashkuar në atë se Imam’ul-A’dham Ebu Hanife Nu’man ibn Thabit (rahimehullah) është njëri nga katër imamët që pasohen, pra Imam Maliku, Shafi’ijju, Ahmed ibn Hanbeli dhe Ebu Hanifja (Allahu xh.sh. i mëshiroftë që të gjithë).

Në mesin e atyre çështjeve për të cilat të gjithë dijetarët, si ata nga shekujt e parë ashtu edhe nga më të vonshmit, pajtohen është ajo që këta katër juristë islamë, si edhe të ngashmit më ta nga mesi i imamëve muxhtehidë, pasuesit e të cilëve gradualisht janë shuar, kanë nxjerrur vetëm çështje fikhore (mesa’il) dhe norma sheriatike nga Libri i Allahut xh.sh. dhe Sunneti i të Dërguarit të Tij s.a.v.s., si edhe nga ato burime për të cilat këta dy (Kur’ani dhe Sunneti) japin shenjë, të tilla si konsensusi (ixhmai) dhe analogjia (el-kijas’ush-sher’ijj), etj.

Të pasurit dituri mbi Kur’anin dhe Sunnetin është baza e ixhtihadit dhe e procesit të nxjerrjes së normave; pra, për këtë arsye juristët muxhtehidë ishin liderë në të pasurit dituri mbi Kur’anin Fisnik dhe Sunnetin e pastër, meqë pa këto dy shkenca thelbësore, nuk do të ishte e mundur që ata të mbanin mbi supe ixhtihadin dhe të nxirrnin norma e mesa’ile.

Nëse ata nuk do të kishin dituri mbi Kur’anin dhe Sunnetin, atëherë si do të ishin në gjendje që të bënin ixhtihad? Si do të ishin në gjendje të nxirrnin norma sheriatike dhe nga ku do të sillnin mesa’ile fetare? Pa pasur dituri mbi Kur’anin dhe Sunnetin, feja nuk mund të parashikohet, e as Sheriati, normat dhe mesa’ilet e tij.

Për këtë arsye kur një person është i përcaktuar si muxhtehid, atëherë secili kupton se ky person posedon dituri shumë, shumë të gjërë mbi Kur’anin dhe Sunnetin, dituri të tillë saqë ai është në gjendje që të bëjë ixhtihad dhe është i përcaktuar si muxhtehid.

Megjithatë, pavarësisht nga e gjithë kjo, ne shohim se disa njerëz flasin keq për imamin e fukahave (juristëve) dhe muxhtehidëve, Imam Ebu Hanife Nu’man ibn Thabitin, tabi’iun e mrekullueshëm (Allahu xh.sh. e mëshiroftë!). Ata rrejshëm deklarojnë: “Ai pamëdyshje që nuk ka pasur dituri mbi Sunnetin a pastër dhe mbi hadithet e Pejgamberit tonë të dashur, Muhammedit (s.a.v.s.), e edhe nëse po, atëherë dituria e tij ka qenë shumë e paktë.”

Këta njerëz, megjithëse në të kaluarën kanë qenë të paktë, janë përgënjeshtruar nga imamët e Hadithit dhe Sunnetit, si dhe nga individët e shquar të kësaj shkence në çdo vend dhe kohë. Megjithatë, një grup i njohur për teprim dhe ekstremizëm, si dhe për shpalljen e të tjerëve për heretikë dhe risimtarë, në kohën e fundit është rritur. Ne shohim disa individë nga mesi i tyre që në vende të ndryshme flasin në mënyrë denigruese për këtë imam (Ebu Hanifen – shën. i përkth.) dhe kapardisen me traktate të pashëndosha,  opinione të pabaza e gënjeshtra të liga, duke thënë se imami në fjalë ishte injorant në shkencën e Hadithit dhe Sunnetit (Allahu xh.sh. na ruajtë!), ndërsa veten duke e quajtur Ensar’us-Sunneh, Ehl’ul-Hadith, Selefinj dhe Muhammedinj, pra ashtu siç e kërkon situata. Njerëzit e vërtetë të Hadithit dhe Sunnetit, paraardhësit e ndershëm dhe të dashurit e Muhammedit s.a.v.s., janë të pafajshëm prej poshtërsisë të asaj që personat në fjalë e flasin dhe bëjnë.

Imamët kryesorë të hadithit dhe ata individë të shquar të kësaj shkence i kanë përgënjeshtruar ndër shekuj këto gënjeshtra të liga, si dhe kanë shkruar hadithe dhe komente të tyre; e ka shumë që kanë vepruar kështu.

Shumë prej tyre kanë shkruar libra dhe traktate specifike mu nga ky shkak, të cilat sqarojnë virtytet (menakibet) e Imam Ebu Hanifes (Allahu xh.sh. e mëshiroftë). Në mesin e tyre është: Imam Ibn Ebi’l-Avvam Es-Sa’di[1], Imam Hafiz ibn Abd’ul-Berr El-Maliki, dijetari i hadithit Imam Jusuf ibn Abd’ul-Hadi El-Hanbeli, Imam Hafiz Edh-Dhehebi, Imam Hafiz Ez-Zejle’i, Imam Hafiz Ali El-Kari’, Imam Hafiz El-Kirmani, Imam El-Karderi, Imam Ibn Haxher El-Mekki, Imam Hafiz Es-Sujuti, Imam Muhammed ibn Jusuf  Es-Salihi, Imam Meufak ibn Ahmed El-Mekki, etj.

Ne në këtë shkrim do të mjaftohemi me përmendjen e asaj që studiuesi, Imam Hafiz Shems’ud-Din Muhammed Edh-Dhehebiu, ka përmendur tek Tedhkirat’ul-Huffaz, një libër i shkëlqyeshëm që përmban vetëm detaje të imamëve dhe hafizëve të shquar[2] të hadithit. Vetë Edh-Dhehebiu përmend lidhur me këtë libër në hyrjen e tij:

“Kjo Tedhkireh është për emrat e atyre bartësve të besueshëm (mu’addal) të shkencës profetike dhe atyre që i referohen ixhtihadit të vet duke pasur parasysh që transmetimet janë të besueshme, të dobëta, korrekte dhe të fabrikuara. Dhe çdo gjë që e bëj e arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm Atij i jam drejtuar.”

Në këtë libër të shkëlqyeshëm dhe të mrekullueshëm, pra Tedhkirat’ul-Huffaz, Imam Edh-Dhehebiu e përmend Imam Ebu Hanifen në mesin e atyre hafizëve të mëdhenj të hadithit të rangut të pestë (et-tabakat’ul-hamise). Ai shkruan:

“Ebu Hanifja, imami i madh (imam’ul-a’dham), juristi i Irakut, Nu’man ibn Thabit ibn Zuta Et-Tejmi (që ishin padronët e tij) El-Kuffi. Ai ka lindur në vitin 80 hixhri dhe e kishte parë Enes ibn Malikun r.a. më shumë se një herë kur ky i fundit kishte shkuar në Kuffe. Ibn Sa’di e ka transmetuar këtë nga Sejf ibn Xhabir se ky e kishte dëgjuar Ebu Hanifen duke e thënë këtë gjë. Ai ka transmetuar nga Ata’u, Nafi’iu, Aburrahman ibn Hurmuz El-A’rexhi, Abdi ibn Thabiti, Seleme ibn Kuhejli, Ebu Xha’fer Muhammed ibn Aliu, Katadja, Amr ibn Dinari, Ebu Is’haku, etj. Zufer ibn Hudhejli, Davud E-Tai, Kadi Ebu Jusufi, Muhammed ibn El-Haseni, Asad ibn Amri, Hasan ibn Zijad El-Lu’lui, Nuh El-Xhem’i, Ebu Mut’i El-Belhi e shumë të tjerë kanë mësuar fikhun tek ai. Ai (Ebu Hanifja – shën. i përkth.) e ka mësuar fikhun nga Hammad ibn Ebu Sulejmani dhe të tjerë. Vaki’iu, Jezid ibn Haruni, Sa’d ibn Es-Sulti, Ebu Asimi, Abdurrezaki, Ubejdullah ibn Musa, Ebu Na’imi, Ebu Abdurrahman El-Mukri e të tjerë kanë transmetuar prej tij. Ai ishte një imam, i dëvotshëm, i dijshëm, praktikues i fesë, një që zhytej shumë në adhurim, si dhe një njëri i një kategorie të lartë. Ai nuk i pranonte dhuratat e sulltanit, por bënte tregti dhe fitonte vetë për të jetuar.

Dirar ibn Serdi thotë: “Jezid ibn Haruni është pyetur: Kush është fekih (jurist) më i shquar, Theuriu apo Ebu Hanifja? Ai u përgjigj: Ebu Hanifja ishte fekih më i shquar, ndërsa Sufjani (Theuriu) ishte më i shquar në hadith.” Ibn Mubareku ka thënë: “Ebu Hanifja ishte fekihu më i shquar në mesin e njerëzve.” Imam Shafi’iu ka thënë: “Njerëzit e tjerë janë fëmijë në krahasim me Ebu Hanifen për fikh.” Jezidi ka thënë: “Kurrë s’kam parë dikë më shumë që i frikësohet Zotit xh.sh. dhe më inteligjent sesa Ebu Hanifja.” Ahmed ibn Muhammed ibn El-Kasim ibn Mihrazi transmeton nga Jahja ibn Me’ini që ka thënë: “Nuk ka për të asgjë negative; ai nuk është akuzuar për asgjë. Jezid ibn Ummer ibn Hubejre e detyroi që të merrte përsipër gjyqësorin, por ai refuzoi të ishte kadi (gjykatës).” Ebu Davudi (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) ka thënë: “Imam Ebu Hanifja ishte një Imam.”

Bishr ibn El-Velidi transmeton nga Ebu Jusufi që ka thënë: “Isha duke ecur me Ebu Hanifen kur një njëri i tha tjetrit: Ky është Ebu Hanifja, ai nuk fle natën. Imam Ebu Hanifja tha: Betohem në Allahun, njerëzit nuk po flasin për mua lidhur me atë që nuk e kam bërë. Ai rrinte natën zgjuar dhe falej, lutej dhe bënte du’a.” Unë (Imam Edh-Dhehebiu) them: “Unë ia kam kushtuar një kapitull virtyteve të këtij Imami. Ai vdiq në muajin rexhep të vitit 150 hixhri. Allahu qoftë i kënaqur me të!”

Imam Hafiz Edh-Dhehebiu tek Sijer A’lam’un-Nubela’ ka shkruar nën biografinë e Imam Ebu Hanifes (Allahu xh.sh. e mëshiroftë): “Dhe ai e mori detyrë kërkimin e haditheve dhe udhëtonte për këtë. Sa i përket fikhut dhe të qenit i përpiktë në ofrimin e një opinioni dhe të pikave më të imta të tij, ai qëndronte në maje. Njerëzit e tjerë janë fëmijët e tij rreth kësaj gjëje…”

Me zingjirin e tij të transmetimit ai shkruan: “Ismail ibn Hammad ibn Ebu Hanife na ka informuar: Nu’man ib Thabit ibn El-Merzeban ishte nga mesi i njerëzve të lirë të Persisë. Betohem në Allahun e Madhërishëm, ne kurrë s’kemi qenë skllevër. Gjyshi im kishte lindur në vitin 80 h. Thabiti (babai i Ebu Hanifes) shkoi tek Aliu r.a. kur ishte i vogël dhe ai u lut për bereqet për të dhe fëmijët e tij. Ne shpresojmë që Allahu xh.sh. t’ia ketë pranuar Aliut r.a. du’anë për ne…”

Muhammed Sa’d El-Uvfi ka thënë: “E kam dëgjuar Jahja ibn Me’inin duke thënë: Ebu Hanifja ishte shumë i besueshëm (thikkah), ai nuk transmetonte ndonjë hadith, përveç atij që e kishte mbajtur mend dhe nuk e transmetonte atë që nuk e kishte mbajtur.”

Salih ibn Muhammedi ka thënë se e kam dëgjuar Jahja ibn Me’inin duke thënë: “Ebu Hanifja ishte shumë i besueshëm në hadith.”

Ahmed ibn Muhammed ibn El-Kasim ibn Mihrazi transmeton nga Ibn Me’ini se ka thenë: “Nuk ka asgjë negative tek Ebu Hanifja”. E njëherë tjetër kishte thënë: “Ai për ne është nga mesi i njerëzve të së vërtetës dhe kurrë nuk është akuzuar për gënjeshtër. Ibn Hubejre ia imponoi që të merrte përsipër gjyqësorin, por ai refuzoi të ishte kadi…”

Shuajb ibn Ejjub Es-Sarifini ka thënë se Ebu Jahja El-Himmani u kishte treguar: “E kam dëgjuar Ebu Hanifen duke thënë: E pashë një ëndërr që më frikësoi. Pashë se isha duke e gërmuar varrin e Pejgamberit s.a.v.s. Erdha në Basra dhe urdhërova një njëri ta pyeste Muhammed ibn Sirinin dhe ai e pyeti. Ibn Sirini i kishte thënë: Ky njeri (Ebu Hanifja) do t’i zbulojë hadithet e Pejgamberit s.a.v.s.”

Dijetari i hadithit Mahmud ibn Muhammed El-Mervezi ka thënë se Hamid ibn Adem na ka treguar se Ebu Vehb Muhammed ibn Muzahimi u kishte treguar se: “E kam dëgjuar Abdullah ibn Mubarekun duke thënë: Sikur Allahu të mos më kishte ndihmuar me Ebu Hanifen dhe Sufjanin, atëherë do të kisha qenë sikurse njerëzit e tjerë.”

Ahmed ibn Zuhejri ka thënë se Sulejman ibn Ebu Shejh na ka treguar se Huxhr ibn Abd’ul-Xhebbari i kishte treguar se El-Kasim ibn Me’ni ishte pyetur: “A të pëlqen të jesh shërbëtor i Ebu Hanifes? Ai u përgjigj: Njerëzit nuk janë ulur më askë më të dobishëm se Ebu Hanifja. Pastaj El-Kasimi i tha atij: Eja me mua të shkojmë tek ai. Kur ai (pyetësi) erdhi tek ai dhe qëndroi me të, tha: S’kam parë dikë të ngjashëm me të.”

Muhammed ibn Ejjub Ed-Durisi ka thënë se Ahmed ibn Es-Sabahi u kishte treguar: “E kam dëgjuar Imam Shafi’iun duke thënë se Imam Maliku ishte pyetur: A e ke takuar Ebu Hanifen? Ai u përgjigj: Po, e kam takuar një njëri që nëse do të të fliste rreth kësaj shtylle duke thenë se është ar, atëhërë edhe do të bëhej ar, përmes argumenteve të tij.”

Esed ibn Amr tregon: “Ebu Hanifja (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) për dyzet vite e ka falur namazin e jacisë dhe sabahut me një abdest.

Bishr ibn El-Velidi tregon nga kadi Ebu Jusufi që ka thënë: “Derisa isha duke ecur me Ebu Hanifen, dëgjova një burrë t’i thoshte një tjetri: Ky është Ebu Hanifja, ai nuk fle natën. Kështu që Ebu Hanifja tha: Betohem në Allahun xh.sh., nuk po flitet për mua ajo që nuk e kam bërë. Ai qendronte zgjuar natën me namaz, lutje dhe du’a.”

Është transmetuar përmes dy zinxhirëve të transmetimit se Ebu Hanifja e këndonte të tërë Kur’anin në një reqat…”

Ibn El-Mubareku tregon: “Kurrë nuk kam parë njëri të ketë aq shumë respekt në tubimet e tija e as me sjellje dhe butësi më të mirë sesa Ebu Hanifja…”

Shariku tregon: “Ebu Hanifja ishte ai që rrinte heshtur për një kohë të gjatë dhe që kishte inteligjencë të madhe.” Ebu Asim En-Nabil ka thënë: “Ebu Hanifja thirrej ‘shtylla’ nga shkaku që falte shumë namaz.” Ibn Is’hak Es-Samerkandi tregon nga kadi Ebu Jusufi që ka thënë: “Ebu Hanifja e kishte zakon që çdo natë ta përfundonte të tërë Kur’anin në një reqat.”

Jahja ibn Abd’ul-Hamid El-Himmani tregon nga babai i tij se ky qëndroi me Ebu Hanifen për gjashtë muaj, ku edhe tha: “Kurrë nuk e kam parë ta falte namazin e sabahut, përveç se me abdestin e jacisë. Ai për çdo natë e përfundonte Kur’anin në agim…”

Nuh El-Xhem’i transmeton nga Ebu Hanifja se ka thënë: “Çka është nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., atëherë me gëzim i japim përparësi (alerr-rre’si ve’l-ajni); çka vjen nga sahabët r.a., ne do të zgjedhim; dhe çka vjen nga dikush tjetër, atëherë ata janë burra e edhe ne jemi burra.”

Vaki’iu ka thënë se e kishte dëgjuar Ebu Hanifen duke thënë: “Të urinuarit në xhami është më mirë sesa disa lloje të analogjisë.”

Ebu Jusufi ka thënë se Ebu Hanifja kishte thënë: “Nuk është e përshtatshme që dikush të transmetojë diçka me përjashtim të asaj që e ka mbajtur në mend në kohën që e ka dëgjuar atë.”

Ebu Mu’avije Edh-Dhariri transmeton: “Të duash Ebu Hanifen është nga Sunneti.”

Is’hak ibn Ibrahim Ez-Zuhriu transmeton nga Bishr ibn El-Velidi që ka thënë: “Mensuri (halifja) e thirri Ebu Hanifen dhe kërkonte që ky të merrte mbi supe gjyqësorin, ku iu betua se kategorikisht do të pranonte. Imam Ebu Hanifja refuzoi dhe u betua duke thënë: Unë nuk do ta marr. Err-Rrebi’ El-Haxhibi i tha: Po e sheh që prijësi i besimtarëve po betohet e edhe ti pastaj po betohesh? Ebu Hanifja iu përgjigj: Prijësi i besimtarëve është më i aftë që të përmbushë kompensimin për betimin e tij sesa unë. Pastaj Imamin e dërguan në burg; ai vdiq në burg në qytetin e Bagdadit…”

Juristi Ebu Abdullah Es-Sejmeri ka thënë: “Ai nuk e pranoi detyrën e kadiut, kështu që e rrahën, e burgosën, ku edhe vdiq në burg.” Hajjan ibn Musa El-Mervezi ka thënë se Ibn Mubareku ishte pyetur: “A është Maliku apo Ebu Hanifja jurist më i madh? Ai u pëgjigj: Ebu Hanifja.” El-Hurejbi ka thënë: “Vetëm xhelozi ose injoranti ia ul vlerat Ebu Hanifes.”

Jahja ibn Se’id El-Kattani ka thënë: “Ne nuk gënjejmë para Allahut xh.sh. Ne nuk kemi dëgjuar opinion më të mirë sesa ai i Ebu Hanifes. Ne i kemi marrë shumicën e opinioneve të tija.”

Ali ibn Asimi ka thënë: “Nëse do të peshohej dituria e Imam Ebu Hanifes me diturinë e njerëzve të kohës së tij, atëherë dituria e tij do t’i peshonte ato.”

Hafs ibn Gijathi ka thënë: “Të ligjëruarit e Ebu Hanifes në fikh është me i hollë sesa qimja; vetëm injoranti gjen gabime aty.”

Është transmetuar nga A’mashi se ky është pyetur lidhur me një çështje, kështu që kishte deklaruar: “Vetëm Nu’man ibn Thabit El-Hazzazi (pra Ebu Hanifja – shën. i përkth.) do të ishte në gjendje të përgjigjej në mënyrë të ekspertshme. Mendoj se ai ishte i bekuar në diturinë e tij.”

Xheriri ka thënë se Mugajreh i kishte thënë: “Rri me Ebu Hanifen se do të përfitosh mprehtësi në fikh. Nëse do të ishte gjallë Ibrahim En-Nakha’i, atëherë edhe ai do të rrinte me të.”

Ibn El-Mubareku ka thënë: “Ebu Hanifja është fekihu (juristi) më i madh në mesin e njerëzve.”

Imam Shafi’iu ka thënë: “Njerëzit e tjerë janë fëmijë në krahasim me Ebu Hanifen në fikh.” Unë (Imam Hafiz Edh-Dhehebiu) them: “Udhëheqja (imameti) në fikh dhe në detajet e tij i është lënë këtij imami. Dhe kjo është një çështje në të cilën s’ka dyshim.”

“Asgjë nuk do të ishte në rregull me mendjen, nëse do të kërkonte dëshmi që është ditë mu në mes të ditës.

Ka mundësi që biografia e tij të mund të ndahet në dy volume. Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me të dhe e mëshiroftë atë. Ai vdiq si dëshmor duke i dhënë helm të pinte në burg në vitin 150 hixhri. Ishte 70 vjeçar.”

Shejhu ynë i hadithit, imami i dijetarëve të hadithit, hafizi, studiuesi, al-lame Muhammed Zekerijja El-Kandelvi, më vonë El-Medeni, (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) shkruan në hyrjen e tij të librit Evxhaz’ul-Mesalik ila Muvetta Malik:

“Mësimi i katërt i dobishëm lidhur me gradën e lartë të tij në hadith (d.m.th., Imam Ebu Hanifes): Dhe nuk ka ndonjë nevojë për këtë mësim, ngaqë Imami (Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me të) ishte një muxhtehid sipas ixhmait (konsensusit), më saktë, ai ishte nga mesi i muxhtehidëve të mëdhenj dhe askush nuk e ka refuzuar këtë gjë, si nga të parët ashtu edhe të mëvonshmët. Dikush mund të jetë muxhtehid vetëm pasi të jetë bërë ekspert në Kur’anin Fisnik, hadith, athare[3], histori, leksikografi dhe analogji, siç është shpjeguar nga imamët e hershëm dhe bashkëkohorë të parimeve të fikhut (pra usulit). Pas gjithë kësaj, refuzimi i imametit të ndonjë imami në hadith nuk është gjë tjetër përveç se skepticizëm.

Përveç kësaj, ne ndjejmë të udhës të përmendim disa nga deklaratat e ekspertëve mbi këtë çështje. Ibn El-Mubareku ka thënë: Ai, Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me të, ishte, dhe unë betohem në Allahun, njëri që me vendosmëri kapte dituri, largohej nga ajo që është e ndaluar, pasonte ulematë (dijetarët) e qytetit të tij (Kuffes), lejonte të merrej vetëm ajo që është transmetuar me korrektësi nga Pejgamberi s.a.v.s. dhe ai i dinte jashtëzakonisht mirë ato hadithe që janë nasi’h (derroguese) nga ato që janë mensu’h (të derroguara). Ai kërkonte hadithe të besueshme dhe ato që paraqesin veprimet e Pejgamberit të Allahut s.a.v.s. Ai mbështetej tek ajo që i gjeti ulematë e Kuffes në të ndjekurit e së vërtetës dhe duke e bërë atë fenë e tij. Një grup e ka shpifur dhe përgojuar atë, ndërsa ne nuk jemi përgjigjur, duke kërkuar falje nga Allahu Fuqiplotë për të.

Mekki ibn Ibrahimi ka thënë: Ebu Hanifja (Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me të) ishte personi më i ditur i epokës së vet. [Unë (Shejh Zekerijja) them: kuptimit të fjalës ‘ilm sipas dijetarëve të hadithit tashmë i është vënë kapaku, pra ata që i memorizojnë zinxhirët (isnadet) dhe tekset (metnin, sh. mutun)] Mensuri i tha atij (Ebu Hanifes): Nga kush ke marrë dituri? Ai iu përgjigj: Nga shokët e Ummerit r.a. të cilët morën (dituri) nga vetë Ummeri, nga shokët e Aliut r.a. të cilët morën nga vetë Aliu dhe shokët e Ibn Mes’udit r.a. të cilët morën nga vetë Ibn Mes’udi. Mensuri i tha: Ke shumë besim në vetvete. Es-Sujutiu gjithashtu e ka transmetuar këtë dhe ka shtuar ca fjalë: … dhe nga shokët e Abdullahut të cilët morën nga vetë Abdullahu. Gjatë kohës se Ibn Abbasit në faqen e tokës nuk pati asnjë më të ditur sesa ai. Ai (Mensuri) i tha: Ti ke shumë besim në vetvete.”

Ibn Haxheri ka thënë: “Largoju iluzionit se Ebu Hanifja nuk ka pasur dituri të plotë në diçka tjetër përveç fikhut. Allahu xh.sh. na ruajtë! Ai në shkencat e Sheri’atit, të tilla si tefsiri (komentimi i Kur’anit) dhe hadithi, në shkencat ndihmëse që lidhen me letërsinë etj. dhe në intuitën ligjore ishte një oqean që nuk mund të kapërcehej dhe një imam që nuk mund të kontestohej. Fjalët e disa armiqve të tij lidhur me të janë në kundërshtim me këtë realitet; ato burojnë nga xhelozia. Dëshmia ndaj kësaj qëndron në të qenurit e tij superior në krahasim me bashkëkohanikët e tij dhe ndaj akuzave të tyre ndaj tij për falsitete.”

Ebu Jusufi ka thënë: “Unë kurrë nuk kam parë dikë më të ditur në të sqaruarit e haditheve sesa atë. Ai kishte mprehtësi me të madhe ndaj haditheve sahih sesa unë.”

Në Xhami’ut-Tirmidhi shkruhet se Ebu Hanife ka thënë: “Unë kurrë nuk kam parë dikë më gënjështar se Xhabir El-Xha’fi dhe më superior se Ata ibn Rebbahu.” Bejhekiu ka transmetuar se Ebu Hanifja ishte pyetur rreth marrjes së diturisë nga Sufjan Eth-Theuriu, ndërsa ai ishte përgjigjur: “Shkruaj prej tij, meqë ai është i besueshëm, përveç atyre haditheve që i transmeton nga Ebu Is’haku e ky nga Xhabir El-Xha’fi.”

El-Hatibi ka transmetuar nga Sufjan ibn Ujejne se kishte thënë: “I pari që më ka dorëzuar mua në hadith në Kuffe ishte Ebu Hanifja.” Po ashtu Sufjani ka thënë: “Ai është më i dituri i njerëzve lidhur me hadithet e Amr ibn Dinarit.”

Nga kjo kuptohet rangu i tij i lartë në hadith. Dhe pse jo? Ai ishte konsultuar lidhur me Eth-Theuriun dhe e kishte dorëzuar Ibn Ujejnen.

Transmetohet nga Hasan ibn Salihu se Ebu Hanifja (Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me të) e shqyrtonte me themel hadithin abrogues (nasih) nga ai i abroguar (mensuh), ai i dinte hadithet e ulemave (dijetarëve) të Kuffes, ai e pasonte fuqishëm atë që dijetarët e pasonin, si dhe ai e njihte mirë atë që i arrinte përmes ulemave të qytetit të tij.”

Jahja ibn Ademi ka thënë: “Nu’mani (Ebu Hanifja – shën. i përkth.) i kishte tubuar të gjitha hadithet e qytetit të tij, madje i kishte parë edhe hadithet më të fundit që rrëfenin vdekjen e Pejgamberit s.a.v.s.” El-Hatibi ka transmetuar nga disa imamë të zuhdit (asketizmit) se kishin thënë: “Njerëzit duhet të luten për Ebu Hanifen gjatë namazeve të tyre, meqë ai e ruajti sunnetin dhe fikhun për ta.” Ai gjithashtu ka thënë: “Njerëzit janë xhelozë dhe injorantë lidhur me të. Sipas meje ai është më i mirë se të gjithë ata.”

Mu’ammeri ka thënë: “Unë nuk kam parë njeri që flet aq mirë mbi fikhun, që ka kapacitet të tillë në përvetësimin e diturisë dhe që i shpjegon hadithet me aq mprehtësi të thellë sesa Ebu Hanifja; e as që kam parë dikë që do të ishte aq i kujdesshëm që asgjë e dyshimtë të mos hynte në fenë e Allahut sesa Ebu Hanifja.” Jahja ibn Me’ini ishte pyetur: “A ka transmetuar Sufjani nga ai? Ai ishte përgjigjur: Po, ai (Ebu Hanifja) ishte shumë i besueshëm në fikh dhe hadith. Ai ishte shumë i besueshëm në çështjet që lidhen me fenë e Allahut.” Ibn Me’ini po ashtu kishte thënë: “Ai ishte shumë i besueshëm. Unë nuk kam dëgjuar askë që e konsideron atë të dobët. Shu’be shkruan se ai transmetonte hadithe, kishte eksperiencë dhe e kishte tejkaluar atë (Shu’ben).” Hammad ibn Zijjadi ka thënë: “Ne kishim zakon të shkonim tek Amr ibn Dinari. Kur vinte Ebu Hanifja, ai (Amri) kthehej nga ai dhe ne fillonim ta pyesnim Ebu Hanifen. Ne e pyesnim atë e ai na tregonte.” Isra’il ibn Junusi ka thënë: “Sa njeri i madh është Nu’mani. Nuk pati asnjë që e kishte ruajtur secilin hadith që brenda tij ka fikh sikurse ai, që e shqyrtonte hadithin më tepër sesa ai dhe që ishte më i ditur në fikhun që gjendej brenda tyre sesa ai.”

Ebu Jusufi tregon: “Unë kurrë nuk jam kundërshtuar me të në diçka, përveç se kam menduar thellë e thellë mbi atë gjë dhe kam parë se trakti që ai ndiqte ishte më i sigurt në aspektin e Ahiretit. Ndonjëherë, unë kisha prirje në ndonjë hadith e ai kishte me tepër depërtim e mprehtësi në hadithet sahih sesa unë.” Ebu Jusufi shton: “Kur ai tashmë e kishte dhënë një mendim, unë i vizitoja shejhët e Kuffes që të shihja nëse mund të gjeja ndonjë hadith ose athar që e mbështeste mendimin e tij. Ngandonjëherë i gjeja dy ose tri hadithe, të cilat i merrja dhe shkoja tek ai dhe nga ato që ai thoshte ishte edhe: Ky nuk është sahih ose ma’ruf. E unë i thoja: Çfarë njohurie ke për të? Megjithatë, ai përputhet me mendimin tënd. Ai më thoshte: Unë e njoh diturinë e ulemave (dijetarëve) të Kuffes.”

Ebu Hanifja ishte me A’meshiun, i cili ishte pyetur rreth disa çështjeve juridike. A’meshiu i tha Ebu Hanifes: “Çfarë thua lidhur më këto? Ai u përgjigj dhe A’meshiu i tha: Prej nga e morre këtë (përgjigje)? Ebu Hanifja iu përgjigj: Nga hadithet që i kam transmetuar nga ti. Pastaj ai i transmetoi atij rrjesht disa hadithe së bashku me zinxhirin e tyre të transmetimit. A’meshiu i tha: Mjafton! Çfarë të kam transmetuar në njëqind ditë, ti më transmeton brenda një ore. Nuk e dija se ti veproje sipas këtyre haditheve. O ju juristë (fukaha)! Ju jeni mjekë e ne jemi farmacistë. Ndërsa ti djalosh, je edhe ashtu edhe kështu.”

Hafizi ka përftuar (tahrixh) nga hadithet e tij shumë hadithe musned[4], shumë nga të cilat që kanë arritur tek ne përmenden në përpilimet e musnedeve të shejhëve tanë.”

Ebu’l-Mehasin Ed-Dimeshki Esh-Shafi’i ka provuar se Imami ka zotëruar një numër shumë të madh hadithesh dhe ishte nga mesi i hafizëve eminentë; ai ka shkruar kapituj të veçantë mbi të dyja çështjet në librin Ukud’ul-Xhum’an. Es-Sujutiu ka transmetuar se derisa e sqaronte hadithin “Dita e Gjykimit nuk do të vijë derisa të shfaqet dituria” Hasan ibn Sulejmani ka thënë: “Kjo është dituria e Ebu Hanifes dhe shpjegimi i haditheve nga ana e tij.” Es-Sujutiu gjithashtu transmeton nga Ibn El-Mubareku që ka recituar poemën e mëposhtme:

“Imami i muslimanëve, Ebu Hanifja, pa dyshim se i ka zbukuruar vendet dhe ata që rrinë në to,

Me tradita dhe të kuptuar të haditheve, efektet e të cilave janë si shkronjat në letër,

S’ka sikurse ai as në tokat e lindjes e as në të perëndimit, e as në Kuffe,

I kam parë ata që e nënvlerësojnë atë si të pamend, ata e kundërshtojnë të vërtetën të pajisur me dëshmi të dobëta.”

Es-Sujutiu e ka përmendur atë në këtë mënyrë, e këto janë rreshta nga një poemë e gjatë që historianet e kanë transmetuar nga Ibn El-Mubareku.

Esh-Sha’rani ka thënë: “Allahu i Madhërishëm më ka favorizuar përmes të studiuarit të musnedeve të Ebu Hanifes nga dorëshkrime korrekte që përmbanin shkrime të hafizeve të hadithit, i fundit i të cilëve ishte Hafiz Ed-Dimjati. E kam parë se ai transmetonte hadithe vetëm nga më të mirët e tabi’inëve, nga ata që ishin të sinqertë dhe të besueshëm, si dhe nga të hajr’il-kurunit, siç ishin përmendur nga Pejgamberi s.a.v.s., të tillë si Esvedi, Alkamja, Atau, Ikrimja, Muxhahidi, Mekhuli, Hasan El-Basriu dhe të ngjashëm (Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me ta). Të gjithë transmetuesit në mes tij dhe Pejgamberit s.a.v.s. ishin të sinqertë, të besueshëm dhe personalitete shumë të larta. Asnjë nga mesi i tyre nuk ishte i pabesueshëm ose që ishte akuzuar për gënjeshtër.”

E Ibn Halduni ka deklaruar në shkrimet e tij:

“Kjo është dëshmi që ai ka qenë nga mesi i muxhtehidëve të mëdhenj në shkencën e hadithit, se medhhebi i tij respektohej në mesin e tyre…”

Muhammed ibn Husejn El-Musali ka përmendur në fund të Kitab’ud-Du’afa:

“Jahja ibn Me’ini ka thënë: Unë nuk kam parë askë që mund ta preferoj ndaj Vaki’iut. Ai e kishte zakon që të lëshonte fetva sipas pikëpamjes së Ebu Hanifes. Ai i kishte memorizuar të gjitha hadithet dhe kishte dëgjuar shumë hadithe nga Ebu Hanifja. Ishte zakon i tij, Allahu xh.sh. e mëshiroftë, që sa herë që ndonjë dijetar hadithi hynte në Kuffe, ai i merrte të gjitha hadithet që ai i posedonte. El-Meufaku ka transmetuar hadithe me zinxhir të tij deri tek Abd’ul-Aziz ibn Ebu Rezme dhe e ka përmendur diturinë e Ebu Hanifes mbi hadithet duke thënë: Kur një dijetar hadithi vinte në Kuffe, Ebu Hanifja iu thoshte shokëve të tij: Shikoni nëse ai posedon ndonjë hadith që ne nuk e kemi. Kjo gjë ndodhte sa herë që vinte ndonjë dijetar hadithi tek ta.”

Në Xhami’ Usul fi’l-Evlija tek këshilla e Imamit ndaj djalit të tij Hammadit thuhet:

“Ai ka zgjedhur pesë nga pesë mijë hadithe; ato janë katër hadithet e famshme të cilat Ebu Davudi i ka përzgjedhur pas tij; i pesti është: ‘Musliman është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të sigurtë muslimanët e tjerë.’ El-Meufaku thotë: Ai (Ebu Hanifja r.h.) ka zgjedhur hadithe nga 40 mijë sosh. Është transmetuar nga Jahja ibn Nasri se ka thënë se e kishte dëgjuar Ebu Hanifen duke thënë: Unë kam zemrën e haditheve; Unë i kam marrë vetëm disa prej tyre, prej të cilave mund të nxirren dobi. Hasan ibn Zijadi ka thënë: Ebu Hanifja ka transmetuar 4 mijë hadithe; 2 mijë nga Hammadi dhe 2 mijë nga shejhët e tjerë.”

Ebu Jusufi ka thënë: “Kur i vinte ndonjë çështje Ebu Hanifes, ai thoshte: Cilin athar e keni në lidhje me këtë? Pasi që ne i transmetonim atharet dhe ai i përmendte ato që i posedonte, ai bënte ekzaminimin. Nëse atharet që e mbështesnin njërin nga dy mendimet ishin më tepër, atëherë ai e merrte atë që kishte më tepër sosh, e nëse ato ishin të përafërta, atëherë ai zgjidhte, me përjashtim të rasteve kur analogjia ishte gabim sipas tij, atëherë ai do ta linte atë në favor të preferencës juridike (istihsanit).”

Vaki’iu ka thënë: “Pa dyshim se ai nivel i kujdesit ndaj haditheve që gjendej tek Ebu Hanifja, nuk gjendet tek të tjerët.” El-Meufaku ka transmetuar lidhur me Mekki ibn Ibrahim El-Belhin, imam i Belhit dhe shejhu i Buhariut: “Ai kishte shkuar në Kuffe dhe kishte qendruar në shoqëri me Ebu Hanifen, ku kishte dëgjuar hadithe dhe fikh prej tij. Ai ka transmetuar shumë prej tij dhe e ka dashur aq shumë, saqë Ismail ibn Bishri ka thënë: Ne ishim në shoqëri me Mekkiun kur ai tha: Ebu Hanifja na ka transmetuar ne. Atëherë një i huaj i tha: Na transmeto nga Ibn Xhurejxhi e mos na transmeto nga Ebu Hanifja. Mekkiu atëherë tha: Ne nuk iu transmetojmë idiotëve.Unë të ndaloj që të shkruash prej meje. Ik nga tubimi ynë. Ai nuk transmetoi më, derisa njeriu u largua nga tubimi i tij. Atëherë ai tha: Ebu Hanifja na ka transmetuar… dhe vazhdoi.” Ekziston një transmetim tjetër ku njeriu kishte thënë se pendohej dhe se kishte gabuar, mirëpo Mekkiu refuzoi që të transmetonte në prani të tij. Ibn Mubareku ka thënë: “Ebu Hanifja qëndronte në maje për aftësinë e të mbajturit mend (hifzit), të kuptuarit dhe të qenurit tepër i përpiktë e i kujdesshëm.” Half ibn Ejjubi ka thënë: “Unë e kisha zakon t’i ndiqja tubimet e dijetarëve. Ngandonjëherë dëgjoja diçka, domethënien e të cilës unë nuk e kuptoja, kështu që shqetësohesha. Kur ndiqja tubimin e Ebu Hanifes, e pyesja për atë që nuk e dija dhe ai ma shpjegonte. Nuri hynte në zemrën time nga shpjegimi dhe sqarimi i tij.”

Hafs ibn Gijathi tregon: “Nga Ebu Hanifja i kam dëgjuar librat dhe hadithet e tij. Unë kurrë nuk kam parë dikë më laps më me inteligjencë sesa ai, e as dikë më të ditur lidhur me atë që është e korruptuar dhe e mirë në çështje që kanë të bëjnë me normat sesa ai.” Muhammed ibn Sa’di ka thënë: “Kam dëgjuar nga ata që kanë qenë të pranishëm tek Jezid ibn Haruni, e me të ishin Jahja ibn Me’ini, Ali ibn El-Medini, Ahmed ibn Hanbeli, Zuhejr ibn Harbi dhe një grup njerëzish të tjerë, kur dikush erdhi dhe e pyeti rreth një çështjeje. Jezidi i tha: Shko tek njerëzit e dijes. Ibn El-Medini atëherë e pyeti: A nuk jeni ju njerëzit e dijes dhe hadithit? Ai ia ktheu: Njerëzit e dijes janë shokët e Ebu Hanifes. Ju jeni farmacistë.”

Eruditi, al’lame, dijetari i hadithit dhe studiuesi, shejh Letif’urr-Rrahman El-Behraiki El-Kasmi (Allahu xh.sh. i dhëntë veç të mira) është duke punuar një enciklopedi të haditheve të Pejgamberit s.a.v.s. të transmetuara nga Imam’ul-A’dham Ebu Hanife (Allahu xh.sh. e mëshiroftë), e cila do të përmbajë, insha Allah, të gjitha transmetimet e Imamit që janë prezente në të gjitha përmbledhjet e musnedeve të tija, të cilat janë shtypur dhe që janë në dorëshkrim, si dhe të gjitha transmetimet e tija që gjenden në koleksione të ndryshme të haditheve të pastërta, në libra të rixhalit, renditjeve (tabekateve), biografive (teraxhimeve), historisë, historisë jetësore (sijareve), etj.

Gjatë punës së përmendur më lartë, ne kemi hasur në tri dorëshkrime të shkurtëra lidhur me transmetimet e Imam Ebu Hanifes (Allahu xh.sh. e mëshiroftë):

Kitab’ul-erbe’ine’l-muhtere min hadithi’l-Imam Ebi Hanife Rahim’Allah (Libri i dyzetë transmetimeve të zgjedhura nga hadithet e Imam Ebu Hanifes, Allahu xh.sh. e mëshiroftë) nga imami, al’lame, dijetari i hadithit, fekihu, shejh Jusuf ibn Hasen ibn Ahmed ibn Abd’ul-Hadi Es-Salihi El-Hanbeli, i cili ishte i mirënjohur si Ibn El-Mebredi dhe që vdiq në vitin 909 h. (Allahu xh.sh. e mëshiroftë);

Evalij’ul-Imam Ebi Hanife (Evalijet[5] e Imam Ebu Hanifes) nga Imam Hafiz Shems’ud-Din Ebu’l-Haxhxhaxh Jusuf ibn Halil ibn Abdullah Ed-Dimeshki El-Hanbeli, i cili vdiq më 648 h. (Allahu xh.sh. e mëshiroftë);

El-ehadith’us-seb’a an seb’a min’es-Sahabe’l-ledhine reva anhum’ul-Imam Ebu Hanife Rahim’Allah (Shtatë hadithet nga shtatë sahabe, Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me ta, prej të cilëve ka transmetuar Imam Ebu Hanifja) nga Imam, shejh Nasir’us-Sunne Ebu’l-Mekarim Abdullah ibn Husejn En-Nishapuri El-Hanefi.

Meqë këto dorëshkrime kurrë nuk janë publikuar më parë, në fakt shumica e njerëzve të dijës gjithashtu kurrë nuk kanë dëgjuar për to, ne vendosëm që t’i publikojmë veçmas përpara se t’i fusim në enciklopedinë e hadithit të përmendur më parë, me qëllim që të përhapet dobia e tyre dhe të fitojmë shpërblimin e përhapjes së Sunnetit të pastër, t’i shërbejmë haditheve të Muhammedit s.a.v.s dhe ta mbrojmë njërin nga personalitetet më eminentë të Ummetit të Pejgamberit tonë të dashur s.a.v.s., imamin e imamëve, fukahave dhe muxhtehidëve, Ebu Hanife Nu’man ibn Thabit (Allahu xh.sh. e mëshiroftë). Gjithashtu ne i kemi vendosur ato në një libër për shkak të shkurtësisë së tyre dhe nga ajo se të gjitha lidhen me Imam Ebu Hanifen (Allahu xh.sh. e mëshiroftë), ngaqë të gjitha janë hadithe të tija.

Ne shpresojmë se Krijuesi ynë Fuqiplotë, në dobi të autorëve, studiuesit, botuesit dhe të gjithë lexuesve, e pranon këtë përpjekje të çmuar, e përhap dobinë dhe mirësinë e saj anë e kënd botës, si dhe e bën një thesar për botën tjetër, një burim shpërblimi dhe një mjet për t’u afruar tek Ai që është i Lavdëruar dhe i Madhërishëm.

Paqja dhe mëshira e Allahut xh.sh. qoftë mbi krijesën e Tij më të mirë, vulën e të gjithë pejgamberëve të Tij, prijesin e pejgamberëve të Tij, udhëheqësin tonë, të dashurin tonë, shembullin tonë, Muhammedin s.a.v.s., dhe mbi të gjithë familjen, shokët dhe pasuesit e tij pa dallim!

E falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botërave!

E shkruar nga ai që ka nevojë për Zotin e tij,

Abd’ul-Hafiz Malik Abd’ul-Hakk.

E enjte, 13.01.1425

Mekke Mukerreme

Përktheu: Daim Abazi

_____________________________________________

[1] Libri ‘Fedail Ebi Hanifeh ve Ahbaruhu ve Menakibuhu’ i Ibn Ebi’l-Avvamit është botuar kohëve të fundit gjithashtu nga El-Mektebe El-Imdadijje, në Mekën e bekuar, me fusnota shtesë nga Shejh Letifurrahman El-Behreiki.

[2] Mufti Husein Kadodia shkruan tek Sunni Forum se hafiz është një dijetar hadithi, i cili ka memorizuar shumë hadithe dhe nga njerëzit e kohës së tij pranohet si hafiz (Kavaid fi ulum’il-Hadith, f. 28).

[3] Deklarata ose veprime që iu atribuohen sahabëve (Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me të gjithë ata).

[4] Një hadith që shkon deri, i përshkruhet ose i atribuohet autorit të tij, pra përmes permendjes së pandërprerë dhe në renditje njëri pas tjetrit të personave nga të cilët ai është transmetuar deri tek Pejgamberi (s.a.v.s.)

[5] Duke cituar disa dijetarë hadithi, shejh Letif’urr-Rrahman El-Behraiki shkruan në faqen 132 të këtij libri se në terminologjinë e dijetarëve të hadithit, ‘evalij’, që është shumësi i ‘alijeh’, janë ato hadithe që posedojnë një zinxhir të fortë të transmetimit me shumë pak hallka.