Të këqijat që rrjedhin prej të hequrit dorë nga “taklidi”

Shejh Abdurrahman ibn Jusuf Mangera

Dihet mirëfilli që shumë, nëse jo shumica absolute e njerëzve të kësaj epoke, nuk i rregullojnë jetërat e tyre sipas shembullit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Si rezultat ata udhëhiqen nga egoizmi, motivet e korruptuara, epshi, joserioziteti, ligësia, konflikti, anarkia dhe kundërshtimi ndaj konsensusit të dijetarëve të mirëfilltë. Kjo gjë pashmangshmërisht shpie në atë që Feja t’iu nënshtrohet dëshirave njerëzore. Hadithet mbi fitnet (konfliktet, sprovat dhe vuajtjet) na kanë paralajmëruar ne mbi shfaqjen e këtyre veçorive të korruptuara tek njeriu, e dijetarët e kësaj Feje (pra Islamit) kanë qenë të vetëdijshëm ndaj këtij problemi.

Mungesa e taklidit [1] ndaj një personi të caktuar (taklid shahsi) do të shkaktonte dëm dhe korruptim të madh në Fe. Njëra nga të këqijat destruktive që do ta shfaqte kokën e saj të shëmtuar në mungesë të taklidit ndaj një personi të caktuar është shfaqja e të vetëquajturve muxhtehidë. Disa njerëz do ta konsideronin veten të aftë për të nxjerrë norma fetare dhe do të përziheshin në procesin e të arsyetuarit analogjik juridik (kijas sher’i). Ata do ta konsideronin veten të barabartë ose të një rangu më të lartë sesa muxhtehidët e shquar të epokave të hershme të Islamit.

Për shembull, muxhtehidët e mëparshëm kanë deklaruar në mënyrë të sigurtë se shumë ligje bazohen në shkaqe të veçanta (mu’al’lel) dhe jo në shkaqe të caktuara. Duke e cituar këtë, disa modernistë ka mundësi të pretendojnë se madje edhe urdhri i abdestit për të falur namaz është i bazuar në shkak të veçantë (mu’al’lel). Sipas tyre, urdhri për abdest mund të ketë qenë për arabët e hershëm, profesioni i të cilëve për kujdesjen ndaj kafshëve ka bërë që ata t’iu ekspozoheshin vazhdimisht ndytësive, gjë e cila mund të ketë tërhequr drejt një pastrimi ritual në formë të abdestit. Në bazë të kësaj, ata ka mundësi të pretendojnë se meqë njerëzit e kohëve të sotme jetojnë në kushte të një higjiene të shkëlqyeshme, abdesti nuk është më i domosdoshëm për namazin. (Nga kapitujt hyrës të “Taklidi dhe Ixhtihadi” nga shejh Mesihullah Xhelalabadi)

Përktheu: Daim Abazi

__________________________________

[1] Et-Taklidu – në terminologjinë islame ka kuptimin ‘të pasuarit e një dijetari të mirëfilltë islam, pra e një muxhtehidi për çështjet e Sheriatit nga masa e gjerë, e cila nuk e posedon ose nuk e ka arritur këtë shkallë të dijës, pra Ixhtihadin. – shën. i përkth.