A lejohet të thuhet “Ja Resulallah”?!

Bismi’l-lahi’rr-Rrahmani’rr-Rrahim

T’i themi fjalët “Ja Resulall-llah (O i Dërguar i Allahut)” ose të thirrim të Dërguarin e bekuar të Allahut s.a.v.s. në ndonjë mënyrë tjetër nuk është diçka e ndaluar ose risi (bidat) në vetvete.

Nëse dikush, kur e dëgjon emrin e të Dërguarit të bekuar të Allahut s.a.v.s., nga dashuria e madhe për të e imagjinon të Dërguarin s.a.v.s. dhe thotë “Ja Resulall-llah” ose ndonjë tjetër formulim të përshëndetjes (salat dhe selam), atëherë kjo gjë është plotësisht e lejueshme.

Edhe formulimi i salatit dhe selamit gjatë teshehhudit (thënies së etehijjatit në namaz) gjithashtu ka kuptimin e thirrjes së të Dërguarit s.a.v.s, megjithatë është pjesë e namazit. Kuptimi i “esselamu alejke ejjuhennebijju” është “paqja dhe bekimet qofshin mbi ty o i Dërguar (i Allahut).”

Megjithatë, nëse përmes thënies së këtyre fjalëve, dikush beson se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është i gjithëpranishëm para tij ashtu siç është Allahu i Madhërishëm, atëherë kjo gjë është e ndaluar dhe konsiderohet të jetë shirk (bërje shok Allahut xh.sh.)

Situata e tretë është kur dikush nuk e ka këtë besim (akide), por konsideron se e vetmja mënyrë korrekte për t’i dërguar salevate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s është përmes thënies së këtyre fjalëve ose konsideron se ata që nuk thonë “Ja Resulall-llah” nuk posedojnë dashuri të vërtetë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., atëherë kjo konsiderohet si risi (bidat).

Duhet të kihet parasysh se kjo është një çështje e vogël. Në historinë islame, ne nuk mund të gjejmë asnjë rast kur muslimanët janë zënë dhe kanë diskutuar se nëse dikush mund të thotë “Ja Resulall-llah” ose jo. Fatkeqësisht, ne sot zihemi dhe diskutojmë lidhur me këto çështje të vogla, ndërsa nevoja për të qenë të bashkuar kurrë nuk ka qenë më e nevojshme se tani. Allahu i Lartmadhërishëm na udhëzoftë të gjithëve në rrugën e drejtë, Amin!

E Allahu i Gjithëdijshëm e di më së miri!

Autor: Mufti Muhammed ibn Adem El-Kevtheri

Përktheu: Daim Abazi