Allahu xh.sh. dhe Antropomorfizmi

I

Ka thënë Imam Ebu Hanifja r.h. në librin e tij “El-Vesijje”, f. 81 të botimit të përdorur këtu:

“Ne e lexojmë se Allahu “isteva ale’l-arsh” (Arsh – Fron) pa pasur Ai nevojë për të ose pa u vendosur (qëndruar) mbi të (Arsh). Ai është Mbrojtësi (Ruajtësi) i Arshit dhe i gjërave tjera përveç tij pa pasur Ai ndonjë nevojë, meqë nëse do të kishte nevojë për diçka, Ai nuk do të kishte mundësi që ta krijonte këtë botë (alem) e as atë që ndodh e gjendet në të, sikundër janë krijesat. Nëse ai do të kishte nevojë për t’u ulur (xhulus) ose ta vendoste Veten (istikrar), atëherë përpara se ta krijonte Arshin, ku ka qenë Ai?!! Allahu xh.sh. është i pastër nga ajo që ia përshkruajnë të padrejtit.”

Shikoni se si Imam Ebu Hanifja r.h. ua sqaron arabëve “el-isteva-në”! Ai u thotë: “Ajo nuk do të thotë “istikrar” e as “xhulus”; gjë e cila ka kuptimin se ky dijetar i madh i selefit është duke thënë: mos e kuptoni “isteva-në” si qëndron (që është kuptimi i istikrar) ose ulet (që është kuptimi i xhulus).” Atëherë, si është e mundur që sot të shohim njerëz që thonë pa kurrfarë vëmendjeje se Allahu i Madhërishëm është i vendosur (qëndron) ose i ulur (mbi Arsh) kur njëri nga dijetarët më të mëdhenj të selefit na ka paralajmëruar kundër të kuptuarit të këtillë rreth Allahut xh.sh.?!

Arsyeja se pse ne këtu nuk e përkthyem frazën “isteva ala…” , është ngase Imam Ebu Hanifja r.h. nuk na ka dhënë (siguruar) ndonjë kuptim, gjë e cila është tipike për shumicën e dijetarëve të selefit. Andaj, edhe pse dijetarë të tjerë (duke përfshirë edhe dijetarë të selefit) kanë dhënë kuptime të sakta të “isteva ala…”, ne këtu nuk e përkthyem frazën që t’i mbesim besnik rrugës së Imam Ebu Hanifes r.h.!

II

Ali El-Kari’ ishte një dijetar i madh hanefit i lindur në Afganistan. Ai studioi dhe vdiq në Mekë. Ai është thirrë edhe “Mulla El-Kari”. Ai në shpjegimin e tij në faqen 333 dhe 334 të librit “El-Fikh’ul-Ekber” të Ebu Hanifes ka thënë:

“Për t’iu përgjigjur kësaj (d.m.th., disa akuzimeve false ndaj Imam Ebu Hanifes r.h.), ne mund të citojmë shejhun, imamin Ibn Abdu’s-selam, i cili në librin e tij “Halu’rr-Rremuz” ka thënë se Ebu Hanifja r.h. ka thënë:

Ai që thotë: Unë nuk e di nëse Allahu është në qiell ose tokë, ka bërë kufër, ngaqë ai i ka atribuar vend Allahut të Madhërishëm, e ai që supozon se Allahu xh.sh. është në ndonjë vend është një antropomorfist (mushebbih).
Nuk ka mëdyshje se Ibn Abdu’s-selami është në mesin e dijetarëve më të sigurt dhe më të besueshëm, andaj kërkohet që të besohet në atë që ai transmeton.”

Në librin e njëjtë, f 355, ai thotë:

“Ata që kanë qenë të padrejtë, që janë në mesin e atyre që kanë gënjyer për Allahun xh.sh. ose kanë pretenduar gjëra që përfshijnë atribuim vendi për Allahun e Madhërishëm në kuptimin e drejtimit para (Tij) dhe konfirmim të distancës (në mes Tij dhe Krijesave të Tija) e gjithçka të ngjashme me këtë, bëhen menjëherë pabesimtarë (kuffar) (fundi i citatit)”

Shënim:

Imam Ali El-Kari’ vdiq më 1014, d.m.th., mbi 400 vite më parë.

Po ashtu, keni parasysh se Mulla Ali El-Kari’ deklaroi se Ibn Abdu’s-selami është një dijetar i madh. Vërtet, Ibn Abdu’s-selami është quajtur “Shejhu’l-Islam” gjatë kohës së tij (vdiq më 660 pas hixhretit).

Këtu, ky dijetar i madh hanefit citon thënien e vërtetë të Imam Ebu Hanifes r.h. mbi këtë çështje, e jo versionin e shtrembëruar të cilin ca njerëz e kanë qarkulluar.

Ai thotë se duhet besuar Ibn Abdu’s-selami kur thotë se Imam Ebu Hanifja i shpall si kuffar (pabesimtarë) ata që supozojnë se Allahu xh.sh. është në ndonjë vend.

Ai gjithashtu shumë qartë deklaron se të atribuarit vend ose drejtim Allahut xh.sh. është pa dyshim blasfemi (kufr).

Ky libër edhe sot është i shtypur nën titullin: “Minhu-Rreuvdi’l-Ez’her fi Sherhi’l-Fikhi’l-Ekber.”

III

Në këtë koleksion të fetvave (El-Fetava El-Hindijje) që konsiderohet autoritativ në medh’hebin hanefi dhe gjetkë, në volumin e 2-të, f. 359, përmendet:

“Nëse dikush thotë ‘Allahu fi’s-Sema’i ‘ (ekzistojnë dy raste): nëse personi në fjalë ka për qëllim thjesht përsëritjen e asaj që na ka arritur neve nga forma e jashtme e teksteve, i tilli nuk bën blasfemi (kufër), por nëse ai ka për qëllim vendin, i tilli bën blasfemi (kufër):”

Shënim:

El-Fetava El-Hindijje është një koleksion fetvashë nga dijetarë hanefinj nga kontinenti aziatik (sidomos nga India), i cili përmban pothuaj të gjitha thëniet (mes’elet) e shkollës hanefite dhe i cili është referencë edhe në ditët e sotme në aspektin e juridiksionit hanefit. Është shkruar më shumë se 300 vite më parë.

Thuhet se 500 dijetarë të nën-kontinentit indian kanë punuar për këtë koleksion fetvashë dhe një fetva është shkruar vetëm atëherë kur asnjëri nga dijetarët nuk e ka kundërshtuar.

Këtu, këta dijetarë thonë se edhe nëse dikush thotë “Allahu fi’s-Sema’i “, duke u varë në atë që ai ka për qëllim, mund të jetë kufr. Andaj, nuk duhet menduar se kjo është një çështje vetëm e përkthimit. Kjo është një çështje e të nënkuptuarit. Ai i cili shqipton fraza në arabishte, ndërsa nënkupton se Allahu xh.sh. është i kufizuar, një gjë e tillë është kufër.

Titulli origjinal i këtij koleksioni fetvashë është “Fetava-e-Alamgiri” në persishte, nga emri i sulltan Aurangzeb (vdiq më 1707 të e.s.), i cili u ndihmoi dijetarëve hanefinj që ta përpilojnë këtë vepër madhështore. Pastaj ajo në arabishte u quajt “El-Fetava El-Hindijje”.

IV

Në librin e tij, El-Minhaxhu’l-Kavim, f. 224, Ibn Haxher El-Hejtemi ka thënë:

“Dije se El-Karafi dhe të tjerët kanë transmetuar nga Imam Shafi’iu, Maliku, Ahmedi dhe Ebu Hanifja, Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur dhe i shpërbleftë që të gjithë, se ata që thonë (për Allahun xh.sh.) se Ai gjendet në ndonjë drejtim ose se Ai posedon trup, kanë bërë blasfemi (kufr) – [pra ata që janë “el-kailine bi’l-xhiheti ve’t-texhsim]; e ata (dijetarët në fjalë) kanë pasur të drejt që kanë deklaruar kështu.”

Shënim

Imam Shihabu’d-din ibn Haxher El-Hejtemi ka vdekur në vitin 974 pas hixhretit, d.m.th., rreth 450 vite më parë. Ai ishte një dijetar i mirënjohur shafi’it dhe ishte nxënës i dijetarit të famshëm Zekerijja El-Ensari. Këtu, dijetari në fjalë, na transmeton konsensusin (ixhmain) e themeluesve të katër shkollave juridike (medh’hebeve) në faktin se atribuimi i drejtimit ose trupit Allahut të Madhërishëm është kufr.

V

Ibn Kethiri r.h. transmeton interpretimin e Imam Ahmed ibn Hanbelit r.h. Ai në volumin e 10-të, f. 327, të El-Bidajeh ve’n-Nihajeh thotë:

“Bejhekiu transmeton nga El-Hakimi i cili e mori nga Amr ibnu’s-Semmak e ky e mori nga Hanbeli se Ahmed ibn Hanbeli e interpretoi fjalën e Allahut xh.sh. ‘ve xha’e rabbuke…’ duke thënë se ‘mëshira e Tij do të vijë’. Pastaj, Bejhekiu thotë: Për këtë zinxhir nuk mund të ketë diskutime.”

[Sqarim: Ajeti ‘ve xha’e rabbuke…’, nëse merret sipas kuptimit të tij sipërfaqësor, do të kuptohet se Allahu xh.sh. do të vijë. Mirëpo ne këtu mund të shohim se Ibn Kethiri r.h. konfirmon se Imam Ahmedi r.h. bëri një interpretim rreth këtij ajeti duke thënë se ajo që do të vijë do të jetë shpërblimi i Allahut xh.sh. (e jo Ai vetë, meqë Allahu xh.sh. nuk i nështrohet levizjes) dhe Ibn Kethiri r.h. deklaron se ky zinxhir transmetimi i Bejhekiut r.h. nuk mund të kontestohet.]

Shënim:

Ibn Kethiri r.h. vdiq në vitin 774 hixhri, d.m.th., rreth 650 vite më parë. Vetëm ky u përmend këtu, ngaqë i tilli merret si referencë nga ata që e quajnë veten padrejtësisht “selefinj”.

Ibn Kethiri r.h. këtu na transmeton se Imam Ahmedi r.h. ka bërë një te’vil (interpretim). Ky interpretim në mënyrë të shkëlqyeshme transmetohet nga dijetarë, siç është Es-Seid El-Hanbeli.

Po ashtu ta kemi parasysh atë se Ibn Kethiri transmeton faktin se Bejhekiu ka përmendur se ky zinxhir transmetimi nuk mund të jetë i diskutueshëm (pra nuk mund të ketë diskutime rreth tij, d.m.th., është i saktë.)

VI

Ibn El-Xhevziu (dijetar hanbelit), r.h., … nga fundi i librit të tij me titull “Def’u Shubeh et-Teshbih”, në faqen 66, pasi e denoncon të kuptuarit e gabuar të mushebbihinëve të kohës së tij (d.m.th., antropomorfistëve; ata që e përngjasojnë Allahun subhanehu ve te’ala me krijesat e tij), ai thotë:

“Qoftë i mallkuar, ai që beson në këtë gjë [d.m.th., në të gjitha besimet antropomorfiste (që i atribuojnë Allahut organe) që ky dijetar i ka denoncuar përgjatë gjithë librit të tij], ngaqë personi i tillë Allahut subhanehu ve te’ala i ka pohuar trup të krijuar! Të tillët nuk janë muslimanë.”

Shënim:

Ibn El-Xhevziu vdiq në vitin 597 hixhri, d.m.th., para më shumë se 800 vite më parë. Ai ishte një dijetar i madh hanbelit. Në kohën e tij, ekzistonin njerëz që thonin gjëra plotësisht të njëjta me ato që sot thonë të ashtuquajturit selefinj (të cilët pretendojnë se janë hanbelinj) rreth Allahut Fuqiplotë; shiqoni pra se në çfarë konkludon ky dijetar në fund të librit të tij rreth kësaj çështjeje: se ata që besojnë në këto gjëra, nuk janë muslimanë. Ruana Zot!

E Allahu i Gjithëdijshëm e di më së miri!

Përktheu: Daim Abazi