Prindërit e Pejgamberit (a.s.) janë të shpëtuar – Imam Xhelaludin es-Sujutiu

Prindërit e Pejgamberit janë të shpëtuar

Imam Xhelaludin es-Sujutiu

Përktheu: Fatih Ibrahimi

© www.ehli-suneti.com

 

 

Imam Sujutiu në lidhje me këtë temë shkroi jo më pak se pesë fetva. Ajo që është përkthyer këtu është një shkëputje nga trajtesa e tij e quajtur: “Shtigjet e besimdrejtëve drejt prindërve të Të Zgjedhurit” (Meselik el-Hunafa’ fi walidejj el-Mustafa)

 

Ky shkrim ka të bëjë me pyetjen në lidhje me verdiktin (hukmin) që babai dhe nëna e Pejgamberit (besohet që) të jenë të shpëtuar dhe jo në zjarr të Xhehnemit. Kjo është deklaruar nga shumica e dijetarëve, dhe për të arritur këtë deklarim ata kanë disa metoda (mesalik).

E PARA

Prindërit e tij vdiqën para se ai të ishte dërguar si Pejgamber, dhe për ta nuk ka ndëshkim pasi që “Na nuk dënojmë (askend) para se të dërgojmë pejgamber! (e ata ta refuzojnë atë)(17:15). Imamët tanë Esh’ari të Kelamit, Usulit, dhe Fikhut Shafii janë të pajtimit në deklarimin që ai i cili vdes pa i arritur thirrja (daveti) vdes i shpëtuar. Kjo është definuar nga Imam Shafiu… dhe disa prej fukahave (juristëve) kanë shpjeguar që arsyeja prapa kësaj është që ky person është në fitreh (natyrë primordiale), dhe nuk ka refuzuar me kokëfortësi as nuk ka mohuar ndonjë Pejgamber.

Ky është qëndrimi i Shejhut tonë, Shejh ul-Islam Sherafudin el-Munevi, siç më është transmetuar. Ai njëherë është pyetur ‘po sikur  të ishin  prindërit e Pejgamberit  në zjarr?’,  ai аtëherë iu përgjigj  me rënkim të zëshëm pyetësit. Ky i fundit insistoi: “A është vendosur Islami i tyre?”  ai iu përgjigj, që ai vdiq në fitreh dhe e citoi ajetin.

Ky është qëndrimi i Ehlu Sunetit, dhe është kundërshtuar nga Mu’tezilët dhe atyre të cilët i ndjekin ata të cilët thonë se njeriu është i ndëshkuar, sepse Allahu njihet racionalisht.

Është poashtu qëndrimi i Shejh ul-Islam Ibn Haxher el-‘Askalanit i cili ka thënë,

Mendimi (korrekt) në lidhje me prindërit e tij, edhe të gjithë ata që vdiqën para Pejgamberllëkut të tij, është që ata do t’i përgjigjen (thirrjes së tij) gjatë marrjes në pyetje (në varr), si dhuratë (prej Allahut) për ta kënaqur atë.

Kjo metodë është e bazuar në këto burime:

[Argumentet nga Kur’ani]

  • Ajeti i sipërpërmendur:  (17:15)
  • Ajeti, “Zoti yt nuk e shkatërron asnjë vend për shkak të zullumit të tyre, e populli i tyre të mos jetë i njoftuar.”(6:131).Zerkeshiu e solli për të sqaruar rregullin (ka`ide) që njeriu falënderon Allahun përmes të dëgjuarit (rreth Tij), dhe jo përmes induksionit racional. (1)
  • Ajeti, “Dhe të mos thonë, kur t’i goditë ndonjë e papritur, të cilën e kanë përgatitur (merituar) vetë, “Zoti ynë, pse nuk na ke dërguar ndonjë profet që të pasojmë argumentet tua dhe të jemi besimtarë?”” (28:47) Paraqitur nga Zerkeshiu dhe Ibn Ebi Hatim në tefsiret e tyre. Ky i fundit shton hadithin, “Ata që vdesin në Fitreh do të thonë: Zoti im, asnjë libër, as i dërguar nuk më arriti mua, dhe ai e reciton këtë ajet.” (Buhariu dhe Muslimi)
  • Ajeti, “Po sikur t’i kishim shfarosur më herët me ndonjë dënim, me siguri do të thonin: “O Zoti ynë, pse nuk na dërgove ndonjë profet, e ne fjalët tua, do t’i kishim pasuar…”” (20:134)
  • “Dhe Zoti yt kurrë nuk ka shkatërruar vendbanime deri sa në kryeqytetin e tyre të mos dërgonte një profet, i cili ua tregonte argumentet tona. Dhe ne kemi shkatërruar vendbanime vetëm atëherë kur banorët e tyre ishin mizorë.” (28:59).
    Ibn Ebi Hatimi citon shpjegimin e Ibn `Abasit dhe Katadës, që ky ajet u referohet njerëzve (popullit) të Mekës, të cilët u ndëshkuan vetëm pasi Pejgamberi s.a.v.s. iu dërgua atyre dhe ata e mohuan atë.
  • Të mos thoni: “Libri u është shpallur dy grupeve përpara nesh, por ne kemi qenë të papërgatitur për ta studiuar” (6:156).
  • “E, Ne – nuk e kemi shkatërruar asnjë vendbanim e që të mos ketë pasur paralajmërues – këshillë për ta (që të kthehen në rrugën e drejtë); e Ne – nuk kemi qenë të padrejtë.” (26:208-209)
    `Abd ibn Hamid, Ibn el-Mundhiri, dhe Ibn Ebi Hatimi citojnë Katadën në tefsiret e tyre, për të argumentuar, që shpallja, dëshmia dhe paralajmërimi duhet t’i paraprijë  ndëshkimit.
  • “Ata do të klithin aty: “O Zoti ynë, nxirrna se do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që kemi bërë”. “A nuk ju kemi lënë të jetoni mjaft, e ai që ka dashur të mendojë ka pasur mjaft kohë, madje u erdh edhe Paralajmëruesi! Pra, shijone se për mosbesimtarët nuk ka ndihmëtar”.”(35:37)Komentatorët e Kur’anit kanë thënë që “paralajmëruesi” në këtë ajet i referohet Muhammedit a.s.

[Argumentet nga Hadithi]

Hadithet në lidhje me marrjen në pyetje të njerëzve në Fitreh në Ditën e gjykimit dhe hyrja në parajsë e atyre që binden dhe hyrja në zjarr e atyre që refuzojnë të nënshtrohen janë:

Ahmedi, Ibn Rehewejh, Ibn Merdewejh, dhe Bejheiu (el-I`tikad `ala medhheb es-selef ehl el-sunnah we-l-jema`ah) i cili ka thënë, sahih, përmes Eswed ibn Seri’. Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë:

“Katër (persona) do të paraqesin arsyetime në Ditën e Ringjalljes: I shurdhi, budallai, plaku i vjetër (në pleqëri të shtyrë), dhe ai i cili vdiq në fitreh. I pari do të thotë: Unë s’kam dëgjuar asgjë; i dyti do të thotë, Islami erdhi dhe fëmijet e rrugës më gjuanin me pleh; i treti (do të thotë), Islami erdhi dhe unë nuk isha në vete (isha i çmendur), dhe i katërti (do thotë), Zoti im, asnjë i Dërguar nuk më erdhi mua. Vetë Allahu do tа merr premtimin e tyre për t’iu bindur Atij. Atyre do t’u thuhet të futën në zjarr (si provë). Ata që iu bindën (Allahut) do të gjejnë freski dhe siguri, ndërsa ata të cilët refuzojnë, do të tërhiqen në të (zjarr). (Eswedi, Ebu Hurejre)

El-Bezar dhe Tirmidhiu të cilët në mënyrë korrekte e klasifikuan atë hasen: Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë,

Ai i cili ka vdekur në Fitreh, imbecili (i pamendi), dhe i mituri do të thonë, respektivisht: As libër as i Dërguar nuk më ka ardhur mua; Nuk më dhe mendjen që të kuptoj të mirën ose të keqen; Nuk pata mundësinë të bëjë ndonjë gjë. Një zjarr do t’u paraqitet atyre dhe do t’u thuhet të hyjnë në të. Ata të cilët do të  sillen mirë në jetë do t’i binden Atij dhe do të futën në të (përkohësisht) ndërsa ata të cilët do të jenë të pabindur në jetë do të refuzojnë. Allahu atyre do t’u thotë, “Ju nuk më bindeni Mua (duke më parë Mua), e si do t’i ishit bindur të Dërguarit Tim, në mungesën (mospraninë) Time? (Ebu Se`id El-Khudri) El-Bezzar dhe Ebu Je’la  transmetojnë ngjashëm si kjo sipër, veçse me shtesën e plakut të vjetër. Ata të cilët do të jenë të bindur do të hyjnë në zjarr dhe do të kalojnë përmes tij me shpejtësi. (Enesi)

`Abdul Rezak, Ibn Xherir, Ibn el-Mundhiri, Ibn Hatimi, me një zinxhirë autentik sipas kritereve të Buhariut dhe Muslimit: Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë,

“Atij që vdiq në Fitreh, idiotit, të shurdhrit, memecit dhe të moshuarit, do t’u sillet një i Dërguar (në atë kohë) i cili do t’u thotë: “Hyni në zjarr”. Ata do të ankohen dhe do të thonë: Si kështu, kur asnjë i dërguar nuk na ka arritur neve? Por, të mjerët ata! Nëse ata do të kishin hyrë, ata do të gjenin atë të freskët dhe shpëtim. (Të gjithë) ata të cilët pranojnë dhe binden do të hyjnë aty.” Ebu Hurejre shton: “Lexo: “”Ndërsa ne nuk kemi dënuar asnjë popull pa u dërguar pejgamber.”” (17:15).”

El-Bezar dhe Hakimi, të cilët e graduan atë sahih sipas kritereve të Buhariut dhe Muslimit: Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë,

Njerëzit e xhahilietit  do të vijnë në Ditën e Gjykimit duke bartur idhujt në shpinën e tyre. Allahu do t’i pyet ata dhe ata do të thonë: Zoti ynë, Ti nuk na ke dërguar neve Pejgamber dhe asgjë prej Teje nuk na ka arritur neve. Po të na kishe dërguar një (pejgamber), ne do të kishim qenë robërit më të bindur. Allahu do t’u thotë: A t’ua testoj bindjen tuaj? Dhe Ai do t’u thotë atyre të hyjnë në zjarr dhe të rrinë në të. Ata do të hyjnë dhe do të dalin përsëri prej aty, të frikësuar nga tërbimi dhe tymi i tij, dhe do të thonë, Zoti ynë, na mbro neve nga ky. Ai do t’u thotë: A nuk më premtuat se do t’më bindeni Mua nëse ju urdhëroj për diçka? Ata do të zotohen përsëri dhe do të hyjnë aty, për t’u kthyer prapë e për t’u lutur përsëri për mbrojtje. Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: Sikur të kishin qëndruar në të, herën e parë, ata do të kishin gjetur freski dhe siguri. (Thewben)

Taberaniu dhe Ebu Nu’ajmi transmetojnë: Pejgamberi ka thënë:

“Imbecili do të vijë në Ditën e Gjykimit së bashku me atë i cili vdes në Fitreh dhe me të miturin etj. (njejtë si në hadithin e mësipërm). Ata do të vazhdojnë të kthehen prapa edhe pse zjarri nuk do t’i kishte lënduar ata, dhe Allahu do t’u thotë, I kam ditur veprimet tuaja qysh më parë, prandaj merri ata (o zjarr).

Komenti i Taberiut,

Dije që gjithë Ehlu Suneti njëzëri janë pajtuar me faktin që nuk ka dituri rreth vendimeve pos duke u bazuar në Ligjin e zbritur (shpallur), kundrejt prodhimeve të mendjes, ndërsa armiqtë e së vërtetës, si Rafidijtë (mohuesit e legjitimitetit të tre halifëve të parë), Keramijtë (antropomorfistët), Mu’tezilët (racionalistët) dhe të tjerët konsiderojnë që derivimi i vendimeve ka disa burime, disa të zbritura (shpallura), disa të bazuara në mendim të lirë. Sa na përket neve [Ehlu Sunetit], ne themi që asgjë nuk bëhet obligative para ardhjes së ndonjë Pejgamberi.

Imam Fahrudin Razi thotë në Mehsul,

Të jesh falënderues Krijuesit të Vetëm nuk është obligim i bazuar në mendje, në kundërshtim me atë që thonë Mutezilet. Po të ishte, ata që do ta linin këtë veprim para se t’u dërgohet Pejgamberi do të dënoheshin, e kjo nuk qëndron [duke cituar 17:15].

Ngjashëm, të tjerët e shkollës së tij [të kelamit] si Bejdeviu dhe Taxhudin Subkiu kanë thënë,

Ne besojmë që ata të cilët daveti (thirrja) nuk i ka arritur vdesin të shpëtuar, dhe (besojmë) që gjersa janë gjallë ata nuk duhet luftuar derisa të refuzojnë një thirrje të qartë, dhe që gëzojnë mbrojtje të jetës dhe pasurisë së tyre, etj.

A vlen kjo metodë (përjashtimi nga ndëshkimi), për të gjithë njerëzit e (periudhës së) xhahilijetit? Jo, por në fakt kjo vlen në mënyrë specifike  për ata që asnjëherë nuk i ka arritur thirrja e Pejgamberi të kaluar. Sa për ata që i ka arritur (thirjja) dhe e kanë refuzuar Pejgamberin e fundit, askush nuk konteston që ata janë  padyshim në zjarr.

Prindërit e ndershëm (të Pejgamberit), prej asaj që dihet për ta, i takojnë grupit të parë (atyre që nuk u ka arritur thirrja) sipas besimit tonë.

Asnjë thirrje nuk i arriti ata, sepse Pejgamberi i fundit erdhi rreth 600 vite më herët, dhe prej priftërinjve të rrallë (të paktë) të Ehli Kitabit që akoma dinin mësimet (origjinale) profetike dhe thërrisnin në fe, një pakicë e vogël kishin mbetur të shpërndarë aty – këtu në mes të Shamit dhe vendeve tjera.

Ata, duket qartë,  që kanë udhëtuar pak dhe kanë jetuan jetë të shkurtër: tetëmbëdhjetë vite për `Abdullahun i cili vdiq në Medine, dhe afërsisht e njëjta për Eminen, sipas hafiz el-`Alai në librin e tij, el-durra es-senije fi mewlid sejid el-berijeh (Margaritari i pastër: lindja e Zotëriut të krijesave).

Ata nuk kanë ditur më shumë sesa shumica e njerëzve të Mekës, injoranca e të cilëve (tregohet) edhe për faktin që Allahu u dërgoi pejgamberë, siç tregohet në ajetet, “A na paska dërguar All-llahu një njeri si profet”” (17:94) dhe “Të kish dashur All-llahu do të kishte dërguar engjujt; kështu diçka nuk kemi dëgjuar prej të parëve tanë.” (23:24).

Imam ‘Izuddin ibn `Abdusselam thotë (në el-Ameli),

Çdo pejgamber i është dërguar popullit të tij në veçanti, përpos Pejgamberit tonë, që do të thotë se, çdo popull (të cilit) nuk iu është dërguar (ai pejgamber), bën pjesë në fitreh, përpos pasardhësve të një Pejgamberi që kanë lindur në një nga vendet  tjera, sepse (në këtë rast) Sheriati i tij poashtu i adreson edhe ata. Por, nëse sistemi fetar i fundit shuhet (zhduket), atëherë të gjithë njerëzit bëhen prej njerëzve të fitres.” Ky është argument kategorik që prindërit e ndershëm janë padyshim në Fitreh, sepse ata nuk janë as pasardhës të ‘Isait (a.s.) e as të popullit të tij.

Tani t’u kthehemi dëshmive nga hadithi. Thënia e Ibn Haxherit që mendimi korrekt është që e tërë familja e Pejgamberit do të binden kur t’u kërkohet në Ditën e Gjykimit, është nxjerrë nga këto burime:

Hadithi i transmetuar nga Hakimi në veprën Mustedrek nga Ibn Mes’udi dhe i klasifikuar autentik, (i cili thotë) që:

Një i ri nga mesi i Ensarëve i cili e pyeste Pejgamberin shumë pyetje, një herë e pyeti Pejgamberin, “A janë prindërit e tu në zjarr?” Pejgamberi (s.a.v.s.) iu përgjigj, “Zoti im më premtoi mua t’më jep atë që kërkoj në lidhje me ta, dhe atë ditë unë do të qëndroj në vendin e lavdëruar (si kryesori i ndërmjetësuesve).”

Hadithi i cituar nga Ibn Xherir et-Taberiu nga Ibn `Abas në lidhje me ajetin:

“Dhe Zoti yt me siguri do të japë ty, e do të jesh i kënaqur.” (93:5) aludon në kënaqësinë e Pejgamberit që asnjeri prej familjes së tij të mos hyjë  në zjarr.

Hadithi i Ebu Seidit në Sheref el-nubuwe, Taberiu (Dheha’ir el-‘Ukba), dhe el-Mulla në Sirën e tij, prej ‘Umran ibn Husejn:

Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë, “Unë i kam kërkuar Zotit tim që Ai të mos fus asnjë prej familjes sime në zjarr, dhe kjo më është dhënë mua.”

Temim el-Dari në Fewa’id me zinxhirë të dobët prej Ibn `Umerit:

Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë, “Ditën e Gjykimit unë do të ndërmjetësoj për babain tim, nënën time dhe xhaxhain tim Ebu Talibin, dhe një vëlla (prej qumështi) timin nga (koha e) Xhahilietit.” Taberiu thotë, nëse është i vendosur (përforcuar), atëherë kuptohet në dritën e Haditheve autentike në lidhje me Ebu Talibin [d.t.th. që ai është në zjarr të cekët – Buhariu dhe Muslimi]. Taberiu thotë “në lidhje me Ebu Talibin” për shkak të faktit që Islami atë e arriti, për dallim nga tre të tjerët që vdiqën në Fitreh.”2

E DYTA:

[Mungesa e dëshmive që prindërit e tij nuk kanë qenë prej Fesë së Pastër (hanifiijeh) dhe dobësimi i hadithit që babai i Pejgamberit është në zjarr]

Shirku (idhull-adhurimi)  nuk është argument i vendosur, dhe me gjasë ata kanë qenë ndjekës të besimit të pastër (Hanifijeh) të gjyshit të tyre, Ibrahimit (a.s.). Një grup prej Arabëve bënë këtë, si `Amr ibn Nufejl dhe Wereka ibn Newfel dhe të tjerët. Ky është qëndrimi i Imam Fahrudin el-Raziut dhe të tjerëve të përmendur më poshtë.

Raziu deklaron në esrer el-tenzil që disa prej dijetarëve kanë thënë që Ezeri nuk është babai i Ibrahimit, por xhaxhai i tij, në mesin e argumenteve të tjera, që prindërit e Pejgamberëve nuk janë jobesimtarë. Për të argumentuar këtë të fundit, është ajeti, “[Zoti yt] i cili të sheh kur ti rri në këmbë (në namaz) dhe (i cili sheh) përkuljen tënde në mesin e atyre që bëjnë sexhde” (26:218-219), d.t.th., prejardhja jote nga ijët e etërve tu, të cilët quhen: adhurues.

Ai vazhdon: Dhe çka vërteton që prindërit e tij nuk ishin idhujtar është thënia e tij, “Unë jam bartur nga ijët e burrave të pastër në barkun e femrave të pastërta” (lem ezel unkal …) Prandaj, është e domosdoshme që asnjëri prej pasardhësve të tij të mos jetë mushrik.

Kjo sipër është formulimi i asaj çka Imam Raziu ka thënë, dhe unë ju përkujtoj statusin e tij si Imam të Ehli Sunetit në mesin e bashkëkohësve të tij, përkrahësi kryesor i besimeve kundër sekteve të ndryshme të novatorëve, ai i cili mbrojti të vërtetën e kredos Esh’arite në kohën e tij, dhe Muxhedidi (ripërtëritësi) i Umetit në shekullin e gjashtë.

Unë them poashtu, ajo çka edhe më tej vendos të vërtetën e kësaj metode dhe asaj çka imam Raziu ka thënë është, së pari, hadithi autentik në lidhje me prejardhjen e Pejgamberit është më e mira në çdo aspekt prej Ademit deri te babai i tij `Abdullahu, dhe që shekulli i tij është më i miri; së dyti, hadithet në lidhje me atë që toka asnjëherë nuk është pa monoteistë të vërtetë (muwahhidun) prej Ademit deri në Ditën e Gjykimit, dhe se është për shkak të tyre që bota është e ruajtur, përndryshe do të ishte zhdukur kohë më parë. Këto dy pika kategorikisht vërtetojnë që origjina më e mirë dhe monoteistët e vërtetë janë para se gjithash prindërit е Pejgamberëve, pasiqë nuk është e kapshme që ata të jenë mushrik ndërsa të tjerët të konsiderohen prej fitres.3

Një perspektivë tjetër që verifikon këtë metodë është ajeti në të cilin Allahu e mban tevhidin – dijen/njohjen rreth Njëshmërisë – brenda pasardhësve të Ibrahimit. [Ai citon ajetet, komentet dhe hadithet në lidhje me këtë.]

Qëndrimet  tjera dëshmuese janë ato të Imam Ebu el-Hasan el-Mewerdi në A`lam el-nubuwwe i cili ka thënë,

Drita e Pejgamberisë ishte prezente në prindërit e Pejgamberit, dhe Pejgamberi nuk kishte ortak në trashëgiminë e tij, që d.t.th., (nuk ka pasur) vëlla dhe motër, sepse thelbi  (safwa) i prindërve të tij është në të, dhe madhështia e prejardhjes së tyre (nasab) është nxjerrë vetëm prej tij, dhe kjo poashtu është pse ata vdiqën të rinj.

Tutje, Ibn el-Xhewzi numëron në el-Telkih emrat e nëntë prej atyre që refuzuan të adhurojnë idole në kohën e xhahilijetit: Ebu Bekr es-Sidik, Zehd ibn `Amr ibn Nufejl, `Abdullah ibn Xhahsh, `Uthman ibn el-Huwejrith, Wereka ibn Nuwfel, Rebab ibn el- Bera’, Es`ad ibn Kurejb el-Humejri, Kass ibn Sa`ide el-Ijadi, Ebu Kajs ibn Serme.

Tani për kundërshtimin që:

Muslimi transmeton nën autoritetin e Enesit:

Një njeri tha, O i Dërguar i Allahut, ku është babai im?” Ai tha: “Në zjarr.” Kur ky njeri iku ai e thirri prapë atë dhe i tha, “Vërtetë babai im dhe babi yt janë në zjarr”.4

Muslimi dhe Ebu Davudi transmetojnë nën autoritetin e Ebu Hurejres:

Që Pejgamberi i Allahut kërkoj leje të kërkoj falje për nënën e tij dhe nuk i është lejuar (dhe kërkoj leje për ta vizituar varrin e saj dhe iu lejua).5

Unë them: Po (ata e kanë transmetuar atë) dhe përgjigja është që transmetuesit nuk pajtohen në fjalët “Vërtetë babai im dhe babai yt është në zjarr.” Zinxhiri që Muslimi përdor është ai i Hamad ibn Seleme – prej Thabitit – prej Enesit. Është në kundërshtim me zinxhirin e Mu’amerit – prej Thabitit – (prej Enesit), i cili nuk përmend këto fjalë, por i cili thotë, “Ai e thirri atë prapë dhe i tha ‘Kur të kalosh pranë varrit të një jobesimtari, tregoi atij për zjarrin.”

Nuk ka kurrfarë përmendje të babait të Pejgamberit në versionin e fundit, dhe zinxhiri i tij (transmetimit të dytë) është më i vendosur (ethbet) pasi që Mu’ameri është më i vendosur (si transmetues) sesa Hamadi, memoria e të cilit është kritikuar dhe disa prej transmetimeve të të cilit janë refuzuar. Buhariu nuk ka marrë asgjë prej tij, as Muslimi në librin e Usulit (hadithet në lidhje me parimet e Sheriatit) përpos përmes Thabitit. Mu’ameri  është i pacen nga të gjitha këto pika (që u përmendën) dhe të dytë, edhe Buhariu edhe Muslimi e përdorin atë. Versioni i tij prandaj është më i besueshëm.

Hadithi poashtu vjen përmes një zinxhiri tjetër me fjalët (formulim) të ngjashëm me versionin e Muamerit:

El-Bezzar, Taberaniu, dhe Bejhekiu citojnë nën autoritetin e Ibrahim ibn Sa`d – prej Zuhriut – prej `Amr ibn Sa`d – prej babait të tij, që:

Një beduin arab i tha Pejgamberit, “Ku është babai im?” Ai iu përgjigj “Në zjarr” Ky njeri tha, “E ku është i yti?” Pejgamberi tha, “Kurdo që të kalosh pranë varreve të jobesimtarëve, tregoju atyre për zjarrin.”

Zinxhiri i mësipërm është autentik sipas kritereve të Buhariut dhe Muslimit: prandaj mbështetja në të ka përparësi ndaj çdo (transmetimi) tjetër (që nuk i plotëson këto kritere). Taberaniu dhe Bejhekiu shtojnë që Arabi më vonë hyri në islam dhe tha, “Pejgamberi më vuri një barrë të rëndë mua, sepse unë nuk kam kaluar ndonjë varr të jobesimtari e të mos i kem treguar atij për zjarrin.” Ibn Maxhe citon diçka të ngjashme përmes Ibrahim ibn Sa`d – prej Zuhriut – prej Saelimit – prej babait të tij.

Shtesa e sipërme tregon padyshim që fjalët që i ka thënë Pejgamberi kanë një kuptim të përgjithshëm, dhe që arabit i është dhënë një urdhër që e ndoqi gjatë gjithë jetës së tij. Në transmetimin e parë, sidoqoftë, ai nuk është urdhëruar asgjë. Është e qartë që transmetuesi i parë e transmetoi atë në formën të cilën ai e kishte kuptuar (gabim).

El-Hakimi në Mustedrek transmeton (sahih) këtë në vijim, nën autoritetin e Lukejt ibn `Amr, që ky i fundit shkoi në një delegacion me Nuhejk ibn ‘Asim ibn Malik ibn el-Muntefik në Medine për të parë Pejgamberin. Ky i fundit, pyeti,

A ka ndonjë (gjë) të mirë nga mesi ynë prej atyre që ishim në Xhahilijet?” Ai tha, “Babai yt, el-Muntefik është në zjarr.” Nuhejk tha, “Mu duk sikur një humnerë u hap në mes  lëkurës së fytyrës sime dhe mishit tim kur e dëgjova të thotë këtë për babain tim para të gjithëve. Desha t’i them, “E i yti, o i Dërguar, por në vend të kësaj mu duk më e përshtatshme (të them), e familja jote, o i Dërguar?” Pejgamberi m’u përgjigj, “Kurdo që të shohësh varr të ndonjë idhujtari, qoftë i kurejshëve apo i ‘Amërve, thuaj, Muhamedi më ka dërguar mua t’ju tregoj juve për zjarrin.”

Transmetimi i mësipërm është më i qarti i transmetimeve për atë çka ka ndodhur. Tani, edhe sikur fjalët “babai im dhe babai yt” janë të vendosura si autentike, kjo nuk nënkupton ‘Abdullahun por Ebu Talibin [krahaso transmetimin e Buhariut dhe Muslimit të “dehdeh” zjarr të cekët në të cilin është vendosur për shkak të ndërmjetësimit të Pejgamberit], ngjashëm me atë që Imam Raziu ka thënë rreth Pejgamberit Ibrahim i cili i thërriste xhaxhain e tij: babai im. Kjo është e qartë nga fakti që Ebu Talibi zakonisht e thërriste nipin e tij “biri im” dhe kjo është si Kurejshitët e quajtën atë kur ata thanë, “Thuaj birit tënd të ndaloj së ofenduari zotat  tanë.”

Poashtu është thënë në hadith që prej banorëve të zjarrit me ndëshkimin më të butë është Ebu Talibi [Buhariu dhe Muslimi]. Po të ishin prindërit e Pejgamberit  në zjarr, sigurisht ata do të ishin ata të cilët do të ndëshkoheshin më së lehti. Dijetarët e parimeve të jurisprudencës (usulit) e quajnë këtë dëshmi e nënkuptueshme.

Sa për hadithin e dytë, që Pejgamberit a.s. nuk iu lejua të lutet te varri i nënës së tij, (është autentik, mirëpo) duhet të shpjegohet në mënyrë korrekte, pasiqë është rregull e usulit  që kur një argument i pamohueshëm e kundërshton një hadith autentik, ai hadith duhet të interpretohet në atë mënyrë që të sqarojë mospajtimin, dhe argumentet kanë prioritet mbi të [d.t.th. nuk mund të interpretohet që të ketë kuptim që ajo është në zjarr kur është e vërtetuar ndryshe].

Kundër-argumenti mund të jetë mbase, që në fillim të Islamit muslimani i cilët ka vdekur me borxhe të papaguara nuk i është falur (namazi i xhenazes) (dhe kërkimi i faljes për ta nuk është lejuar). [Kjo është akoma kështu në Anatoli, ku xhenazja nuk përgatitet derisa të gjitha borxhet të jenë paguar menjëherë.] Nëna e Pejgamberit mund të kishte pasur këtë ose arsye tjera që e kanë ndaluar lutjen e tij për të, që nuk e bën atë kafira.6


 

[Përfundim]

Shumica e dijetarëve janë pajtuar me këtë të mësipërmen, dmth, që prindërit e Pejgamberit janë në parajsë, pa pasur nevojë që t’i konsiderojnë dy hadithet e Muslimit si të shfuqizuara. Sidoqoftë, siç ka theksuar el-Suhejli, nuk është e hijshme për Muslimanët të thonë diçka se “Prindërit e Pejgamberit janë në zjarr,” siç ai vetë ka thënë, “Mos i ngacmoni të gjallët duke ofenduar të vdekurit,” dhe Allahu ka thënë, “Me të vërtetë, ata që e ofendojnë Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij, Perëndia i mallkon (edhe) në këtë botë edhe në tjetrën, dhe për ta ka përgatitur ndëshkim poshtërues.” (33:57).

Dijetari malikij el-Kadi Ebu Bekr ibn el-`Arabi, është pyetur rreth njeriut i cili thotë një thënie të tillë, dhe ai është përgjigjur, “Ky njeri është i mallkuar.”

Në fund, një pjesë e dijetarëve kanë marrë qëndrim që të mos japin mendim rreth kësaj çështjeje, dhe Allahu e di më së miri.

1 Jusuf `Ali e përkthen bi zulm si “për keqbërjen e tyre” dhe ia atribuon atë objektit (njerëzve) e jo subjektit (Allahut). Kjo jep kuptimin në vijim: “Zoti yt nuk e shkatërron asnjë vend për shkak të zullumit të tyre, e populli i tyre të mos jetë i njoftuar.” Kurtubiu përmend të dy kuptimet në tefsirin e tij.

2  Hadithe të tjera të ngjashme vazhdojnë duke rënë nga grada e autenticitetit, por të cilat Sujutiu megjithatë i sjell për të forcuar vërtetësinë e dëshmive që ndërmjetësimi eksplicit i Pejgamberit për prindërit e tij është i vërtetë.

3 Sujutiu pastaj citon rreth 44 Hadithe sahih ose hasan për të ilustruar dy pikëpamjet e mësipërme.

4 Muslimi, Iman, kapitulli 88

5 Muslimi, Xhena’iz, kapitulli 36

6 Sa për hadithin “Nëna jote është në zjarr… nëna ime është me nënën tënde.” Është shumë i dobët, dhe, për më tepër, përmban një indikacion që ndërmjetësimi i Pejgamberit mund të shërbej për t’i nxjerrë ata nga zjarri: “Çfarëdo që unë i kërkoj Zotit tim rreth atyre dyve [prindërve të Pejgamberit], unë shpresoj që Ai do të më jep mua. Unë në atë ditë, do të qëndroj në një vend të lavdëruar.

Ky hadith është transmetuar prej Ibn Mes`udi nga Ahmedi, el-Taberiu në tefsirin e tij, el-Hakim (2:365=1990 ed. 2:396), el-Darimiu (libri i rikak), Ebu el-Shejh në el-`Azeme, dhe Ibn el- Mundhir, të gjithë me zinxhirë shumë të dobët për shkak të `Uthman ibn `Umejr i cili është i braktisur si transmetues (munker el-hadith) shih. Shejh Ahmed Shakir në edicionin e tij të Musnedit (4:31-32 §3787), el-Hejthemiu (10:361-362), dhe refuzimi i el-Dhehebiut të gradimit autentik nga Hakimi.

© www.ehli-suneti.com

2 thoughts on “Prindërit e Pejgamberit (a.s.) janë të shpëtuar – Imam Xhelaludin es-Sujutiu

  • May 1, 2014 at 3:45 pm
    Permalink

    Selamu Alejkum PRa prindrit Pejgamberit Alejhi ue Selam nuk do te jen ne Zjarr

    • May 10, 2014 at 7:08 am
      Permalink

      Alejkum Selam. Sipas dijetarve tane, vendin e tyre e din vetem Allahu. Ai e fal kë të do dhe e denon ke te do. Por, ajo qe eshte e sigurte, eshte se kufri (mosbesimi) i tyre nuk eshte i vertetuar, prandaj, ata konsiderohen monoteiste derisa te vertetohet e kunderta.

Comments are closed.